Maqedoni

Zgjedhjet e 5 qershorit, BDI diskuton me qytetarët platformën arsimore

23.03.2016 17:30

BDI ka diskutuar me palët e interesuara për projektet arsimore që duhet të kyçen në platformën e saj zgjedhore...

Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, tha se për momentin po bëhen analiza për t’u bërë reforma të duhura në arsim, po shqyrtohet reforma në pjesën e financimit të arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë, dhe në pjesën e transportit, ndërsa sa i përket ndryshimeve në testimin e ekstern, Ademi tha se ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim, por gjithsesi që duhet të ketë  mekanizma për matjen e cilësisë.
 
“Ne do të propozojmë edhe modalitete të reja edhe për problemet adekuate të cilat paraqiten në arsim, me qëllim që të njëjtave t’u gjejmë edhe zgjidhje adekuate në bazë të kërkesave dhe ideve që paraqiten në takimet e tilla, siç është ky i sotmi, por edhe në takimet në vijim që do t’i kemi edhe me grupe të ndryshme të interesit. Tani për tani është ende herët për të thënë se çfarë do të ndodh me vlerësimin ekstern, do të ndërpritet ose do të ketë ndonjë modifikim, por ajo më e rëndësishmja është se duhet të ndërtojmë mekanizma për matjen e cilësisë në arsim”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Përgjegjësi për përpilimit e programit zgjedhor të BDI-së në sferën e arsimit, Agim Rushiti, tha se në platformën e re do të kyçen politika konkrete, që kanë për qëllim eliminimin e problemeve aktuale dhe gjetjen e zgjidhjeve për to.
 
“Ne kemi parashikuar rishqyrtimin e programeve mësimore në të gjitha ciklet, kemi parashikuar rishikimin e provimit të maturës dhe provimit ekstern të nxënësve, vendosjen e lëndës së matematikës që nga klasa e parë, por me ligjërues profesionistë që kanë kryer arsimin e lartë nga lëmia e matematikës, formimin e qendrave të cilat do të sigurojnë kualitetin në arsimin e lartë, formimin e qendrave të ekselencës për zhvillimin e shkencës e kështu me radhë”- tha përgjegjësi për arsim, Agim Rushiti.
 
Palët e interesuara për të diskutuar platformën e BDI-së para përpilimit të versionit përfundimtar thanë se ajo është e ngjashme me platformën e propozuar në zgjedhjet e fundit.
 
Por, nga BDI thonë se shumë projekte të platformës paraprake duhet të përfundonin deri në 2018-tën dhe për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme është normale që ato të gjenden në platformën 2016-2020.
 
Në pyetjen pse në këtë propozim-platformë nuk gjendet edhe vendosja e tre përmendoreve të shqiptarëve në projektin “Shkupi 2014”, nga BDI dhanë këtë përgjigje: përmendoret do të vendosen para zgjedhjeve të 5 qershorit. 
 
ERSAN PAJAZITI