PDSH: Të ndalet presioni dhe frikësimi i qytetarëve
Partia Demokratike Shqiptare, përmes një komunikate ka alarmuar sot opinionin se edhe më tej po vazhdojnë frikësimet...

Partia Demokratike Shqiptare, përmes një komunikate ka alarmuar sot opinionin se edhe më tej po vazhdojnë frikësimet, kërcënimet dhe shantazhet ndaj qytetarëve si dhe politizimi i tejskajshëm i institucioneve.
Nga PDSh thonë se kohëve të fundit janë shtuar djeshëm ankesat e qytetarëve, që kanë të bëjnë me kërcënime për shkarkime nga puna, raste korrupsioni, ndërprerje të energjisë elektrike si dhe ankesa për gjoba, taksa dhe tatime të mëdha të shqiptuara nga ana e institucioneve shtetërore, si dhe trajta tjera të keqpërdorimit të institucioneve shtetërore që ushtrojnë presione për qëllime të caktuara politike.
“PDSh është në dispozicion të qytetarëve dhe do të bëjë publike të gjitha rastet e paraqitura të presionit apo mohimit të së drejtës së garantuar të qytetarëve nga individët në pushtet dhe institucionet. PDSh u apelon partive politike dhe aktivistëve të tyre, përfshirë edhe aktivistët e PDSh-së, që të mos ushtrojnë asnjë lloj presioni, trembje apo frikësim ndaj qytetarëve, në mënyrë që ata, në mënyrë të lirë dhe demokratike, të vendosin nëse do të jenë aktiv ose jo në proceset dhe aktivitetet politike në periudhën kohore që vjen dhe të lihen të lirë të shprehin vullnetin e tyre politik dhe pa presion të vendosin se cilin opsion politik do të përkrahin”, thuhet në komunikatën e PDSh-së.
