Ekonomi

Minierat “Zletova” dhe “Toranica” i jepen me koncesion Kompanisë “Minstroj”

24.03.2016 15:33

Qeveria mori vendim që t’i japë në koncesion dy minierat, “Zletova” dhe “Toranica”, kompanisë bullgare “Minstroj”...

Qeveria mori vendim që t’i japë në koncesion dy minierat, “Zletova” dhe “Toranica”, kompanisë bullgare “Minstroj”, kompani e cila ka ndërtuar mbi 150 miniera në Bullgarinë fqinje dhe ka rreth 2500 të punësuar.
 
Minierat “Toranica” dhe “Zletova” kishin falimentuar nga papërgjegjësitë e koncesionerëve të mëparshëm, duke lënë pa rroga 1.000 minatorë, tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
“Sot dëshiroj të përcjell një porosi deri te ata të cilët ishin skeptikë se do të ripërtërihen dy minierat, e ‘Zletovës’ dhe ‘Toranicës’, se sot kemi edhe oficialisht koncesionerë të ri, koncesioner i cili e dha premtimin që do t’i kthejë në punë të gjithë 1000 punonjësit të cilët punonin deri tani atje dhe nga një mosmenaxhim i duhur nga koncesioneri i deritanishëm, në vitet e kaluara kishim disa probleme të cilat në fund arritëm t’i mënjanojmë dhe kompania jorastësisht shkoi në falimentim”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Drejtori i Kompanisë së minierave “Monstroi” tha se punëtorët në drejtimin e kësaj kompanie do të kenë rrogë dyfish më të lartë se ç’e kishin më parë. Ai tha se Kompania “Monstroi” udhëheq shumë miniera në Bulgari, Kosovë, e tashmë edhe në Maqedoni, si dhe shumë vende tjera.
 
“Paguheshin nga 200 deri më 300 euro, ndërsa kanë gërmuar 1.900 ton koncentrat. Kjo është e papranueshme! Ne do t’i barazojmë rrogat e të punësuarve të këtushëm me rrogat e minatorëve tanë dhe varësisht nga vendi i punës që do ta kryejnë, do t’i paguajmë dy herë më shumë”- tha pronari i Këshillit drejtues të Kompanisë “Minstroj”, Nikolay Valkanov.
 
Në ankandin publik kanë marrë pjesë tri kompani serioze, Kompania “Solvej”, kompania GIM dhe Kompania fituese “Minstroj”. Nga shuma fillestare prej 800 mijë euro u arrit shuma prej 2 milion euro.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI