Botë
17 vjetori i bombardimeve të NATO-s, krerët politik: Ndërhyrja, një kapitull i ri për Kosovën
24.03.2016 15:41
Pak përpara orës 20 të 24 marsit të vitit 1999, pas urdhrit të sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Havier Solana, Aleanca filloi sulmet mbi caqet serbe...

Pas 78 ditë bombardimesh, regjimi i atëhershëm i Millosheviçit u dorëzua në qershor të vitit 1999, duke pranuar Marrëveshjen e Kumanovës.
Pas bombardimeve u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni, megjithëse një numër i madh i shqiptarëve ishin shpërngulur edhe në vendet perëndimore dhe ShBA.
Mbi 12 mijë të vrarë dhe mijëra persona të zhdukur, një numër i madh i të cilëve nuk janë gjetur edhe pas 17 vite nga konflikti, ishte bilanci i viktimave, krahas dëmeve të mëdha materiale, pasoja që Kosovën e bëjnë vendin më të varfër të rajonit dhe Evropës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se çështja e kompensimit të dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia do të diskutohet në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, ku do të kërkohet kompensim në suaza të konventave ndërkombëtare. Po ashtu krerët e Kosovës kanë vlerësuar se ndërhyrja e NATO-s, 17 vjet më parë, ishte një kapitull i ri i historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësisë.
Presidenti i sapozgjedhur, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se “ndërhyrja e NATO-s, 17 vite më parë, ishte një shpresë e re për popullin e Kosovës, që po përjetonte terrorin shfarosës të regjimit të Millosheviqit. Mundësitë diplomatike për të parandaluar këtë terror, që tronditi botën e qytetëruar, kishin shteruar dhe për të mbrojtur vlerat e këtij qytetërimi njerëzor, ndërhyrja e NATO-s ishte bërë e pashmangshme. Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se intervenimi i NATO-s në Kosovë kundër Serbisë është momenti më i lavdishëm i historisë njerëzore. Nderim të përhershëm të gjitha grave e burrave të Aleancës Veriatlantike dhe qeverive demokratike gjithandej botës që përkrahën çlirimin e Kosovës”, është shprehur Veseli.
GYLTENE SINANI
