Maqedoni

Gjatë bastisjes në Regjistrin Qendror, specialja siguroi pjesë nga dokumentacioni që kërkonte

24.03.2016 15:57

Hetuesit e Prokurorisë Speciale kanë arritur të marrin një pjesë nga dokumentacionet e nevojshme nga Regjistri Qendror...

Hetuesit e Katica Janevës me disa nëpunës policorë kanë bllokuar të gjitha hyrjet e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë që të mos mund të largojë askush materiale prej aty. 
 
“Kjo Prokurori Speciale, duke vepruar me urdhër të gjykatësit e procedurës paraprake, gjatë ditës së djeshme ka vepruar për t’i marrë lëndët-dokumentacionin nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë. Urdhri është dhënë me kërkesë të Prokurorisë Speciale, pasi që Regjistri Qendror në afat të 30 ditëve nuk i është përgjigjur kërkesës sonë dhe vetëm na kanë njoftuar se kërkesa ka qenë e paqartë, edhe pse vazhdimisht ka pasur kontakte telefonike me prokurorë publik dhe hetues në drejtim të qartësimit që është lëndë e kërkesës sonë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale. 
 
Prokuroria Speciale shpjegon se gjatë ditës së djeshme është bërë bashkëpunim me Regjistrin Qendror dhe se janë dorëzuar një pjesë e dokumenteve të kërkuara.
 
“Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për numër të madh të dokumenteve, gjatë ditëve në vijim do të merren të gjitha dokumentet të cilat janë të theksuara në urdhrin për marrjen e dokumenteve të lëndëve, për të cilat do t’iu informojmë me kohë”, thonë nga Prokuroria Speciale.
 
Megjithatë, nga Gjykata Themelore thonë se Prokuroria Speciale nuk ka kërkuar urdhër për bastisje. Ata nuk dëshirojnë të komentojnë lidhur më aksionin e mbrëmshëm të PSP-së në Regjistrin Qendror, por e krahasojnë atë me skenar holivudian. 
 
“Gjykata Themelore Shkupi 1 nuk do ta komentojë aksionin e djeshëm të Prokurorisë Speciale dhe masat e tyre operative-taktike që t’i zë të papërgatitur institucionet, duke u thirrur në urdhra gjyqësore dhe në lajmërime anonime të cilat ngjajnë në skenarë holivudianë dhe jo në punë serioze, ashtu siç është PSP-ja”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale. 
 
SANIJE DURAKU