Maqedoni
LSDM: VMRO shkel rregulloren; Sugareski: Nuk do të marrim pjesë pa u hapur debati
24.03.2016 16:09
Opozita maqedonase nuk do të marrë pjesë në seancën e Komisionit për Sistem Politik ku duhet të shqyrtohet Raporti i Prokurorisë Publike Speciale...

Grupi parlamentar i opozitës së kryesuar nga LSDM akuzoi VMRO-në se po shkel Rregulloren e Kuvendit me faktin që nuk po hap debatin rreth këtij Raporti, për të katërtën ditë me radhë.
“Ne nuk0 do të bëhemi dekor në cirkun e tij, prandaj nuk do të marrim pjesë. Sapo të vendosë që ta hap seancën dhe të fillojë debatin mbi raportin e Janevës, ne me kënaqësi do të marrim pjesë, pasi kemi shumë për të thënë. Nga kjo më së shumti frikohet VMRO-DPMNE.”- deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugareski.
Caktimi i seancave të cilat kryetari i Komisionit, Vllatko Gjorçev, nuk ka në plan t’i hapë janë vetëm shpenzime të kota buxhetore, akuzoi opozita. Veç kësaj, opozita fton kreun e Komisionit për Sistem Politik që të caktojë seancë për shqyrtimin e raportit të prokurorit publik, Marko Zvërlevski.
“Raporti i Zvërlevskit, të cilin e zgjedh ky Kuvend, për nëntë muaj nuk është vënë në rend dite. Është e qartë se VMRO-DPMNE dëshiron ta fsheh punën e jashtëligjshme të Zvërlevskit dhe të mos diskutohet për mosveprimin e tij kundër krimit të pushtetit, që është një nga arsyet për themelimin e Prokurorisë Publike Speciale.”- theksoi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugareski.
Ndryshe, kryetari i Komisionit, Vllatko Gjorçev, as sot nuk e vazhdoi seancën për shqyrtimin e Raportit të Janevës për shkak të mungesës së saj.
Nga ana tjetër, opozita maqedonase vlerëson se në harmoni me Rregulloren e Kuvendit, prezenca e Janevës nuk është e domosdoshme për të filluar shqyrtimin e raportit të saj. Por, sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM¬ja edhe më tej vazhdon të luajë rolin e zëdhënësit dhe avokatit të Prokurorisë Speciale Publike dhe Katica Janevës.
Në një reagimin me shkrim të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, si kundërpërgjigje ndaj koordinatorit të grupit të deputetëve të LSDM-së, Goran Sugarevskit, thuhet se aspak nuk janë befasuar që deputetët e LSDM-së vazhdojnë edhe në mënyrë plotësuese ta inkurajojnë Janevën të vazhdojë me mosrespektimin e obligimit të saj ligjor dhe kushtetues, me shkeljen e Kushtetutës, me injorimin e dhomës ligjdhënëse dhe deputetëve, me nënçmim të institucionit President i Maqedonisë, si dhe mosnjohjen e Gjykatës Kushtetuese dhe disa institucione të tjera shtetërore.
"LSDM-ja sërish në vepër i shfaq arshinët e saj të dyfishta. Njëherit, ata në opinion vazhdimisht prezantohen si luftëtarë për vlera demokratike, transparencë dhe përgjegjësi para qytetarëve të Maqedonisë, ndërsa nga ana tjetër e arsyetojnë mosparaqitjen e Katica Janevës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me ç'rast pengojnë që deputetët dhe i gjithë opinioni i Maqedonisë të kuptojnë çka dhe se si punon Prokuroria Speciale Publike dhe Katica Janeva", thuhet në reagimin e partisë maqedonase në pushtet.
SHPËTIM NUREDINI
