Botë

Terroristi i Parisit, Salah Abdeslam, dëshiron të ekstradohet në Francë

24.03.2016 17:08

Salah Abdeslam, terroristi i sulmeve në Paris, ka pranuar ekstradimin nga Belgjika në Francë...

Këtë e deklaroi avokati i të akuzuarit gjatë seancës së sotme, i cili theksoi se Abdeslam dëshiron të kthehet në Francë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që ai të shpjegohet në Francë.
 
“Seanca gjyqësore do të zhvillohet më 7 prill. Ne kemi kërkuar të shtyjmë atë, pasi që rasti ‘Salahut’ është mjaft i ndërlikuar. Tani do të kemi më shumë kohë të merremi me detaje. Kërkesa jonë u pranua. Mund t’iu informoj se Salah Abdeslam dëshiron të shkojë në Francë sa më shpejt që është e mundur, e cila nënkupton se ai nuk e refuzon ekstradimin e tij në Francë. Shpresojmë që ekstradimi nuk do të shtyhet. Mendoj se ai e ka kuptuar se vetëm një pjesë e rastit të tij ndërlidhet me ngjarjet në Belgjikë, ai dëshiron të shprehet në Francë dhe mendoj se kjo është një gjë e mirë”- deklaroi avokati i Salah Abdeslam, Sven Mary.
 
Sa i takon sulmeve të Brukselit, Sven Mary, u shpreh se Salah ka qëndruar i heshtur përballë hetuesve dhe se ai nuk ka kontakt me asnjë burim informacioni për t’u furnizuar me atë se çka ka ndodhur gjatë ditës së martë.
 
Disa ditë pas arrestimit të tij, vëllezërit, Kalid, Ibrahim el Bkraui dhe Naxhmi Lashmaui, kanë kryer sulme të koordinuara terroriste në aeroportin “Zaventem” dhe në stacionin e metrosë “Malbek” në lagjen evropiane të Brukselit, me ç’rast e humbën jetën 32 persona, ndërsa rreth 300 të tjerë u plagosën.
 
Sipas testamentit të gjetur të njërit nga vetëvrasësit me bombë Ibrahim El Bakraui, Salah Abdelsalam ishte i përfshirë me grupin që i kreu sulmet në kryeqytetin belg dhe për shkak të kësaj mund të jetë anuluar ekstradimi i tij i menjëhershëm në Francë, pasi pritet të përgjigjet edhe për sulmet në Bruksel. 
 
LEUNORA KALIQI