Botë

Tensione të reja mes dy Koreve, veriu simulon sulm ndaj presidentit të jugut

25.03.2016 10:49

Sikur të mos mjaftonte tensioni i lartë në rajon, lideri koreano-verior, Kim Jong Un, i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit...

Koreja e Veriut kreu manovra artilerie, duke simuluar një sulm ndaj rezidencës zyrtare të presidentit të Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut ka reaguar shumë ashpër pas sanksioneve të vendosura nga OKB-ja dhe vazhdon të shkelë rezolutat.

Në një komunikatë për shtyp në median shtetërore KCNA, regjimi komunist i Koresë së Veriut kërcënoi se do të shndërrojë në gërmadha rezidencën presidenciale të Koresë së Jugut, që njihet si Shtëpia Blu.

Gjatë manovrave, vet Kim Jong Un urdhëroi ushtrinë që të jetë gati të shkatërrojë pa asnjë mëshirë qeverinë në jug.

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-Hye, urdhëroi ushtrinë që të jetë në gatishmëri, ndërsa tha se provokime të tilla të papërgjegjshme janë pjesë e rrugës së regjimit komunist verior drejt vetëshkatërrimit.

Shtëpia blu u sulmua nga komandat koreano-veriorë në vitin 1968. Sulmi rezultoi me 37 viktima.