Botë

Bruksel, kërcënimi terrorist, ushtria rrethon centralet bërthamore

25.03.2016 12:27

Policia belge ka arrestuar gjashtë persona në Bruksel në kuadër të një superoperacioni për sulmet e së martës...

Policia belge ka arrestuar gjashtë persona në Bruksel në kuadër të një superoperacioni për sulmet e së martës, që vranë 31 persona në aeroportin “Zaventem” dhe në një nga stacionet e metrosë së qytetit.
 
Arrestimet në Shaerbek u kryen gjatë natës së të enjtes, ku forcat e rendit kanë bastisur thuajse të gjitha shtëpitë e kësaj zone. Banorët thonë se kanë dëgjuar edhe shpërthime gjatë operacionit të policisë, por shkaku ishte i paqartë. 
 
Në një tjetër operacion kundër terrorizmit  në veri-perëndim të Parisit është arrestuar një tjetër person, i cili dyshohej se do të kryente një sulm terrorist. Shtetasi francez është një nga krerët e grupit terrorist që kishte planifikuar të godiste Parisin.
 
I dyshuari ishte dënuar në mungesë në një vend tjetër evropian për rekrutim të të rinjve për të luftuar në Siri në krah të “Shtetit Islamik”. Indikacionet e deritanishme tregojnë se bombardimet e Brukselit kanë qenë të lidhura me sulmet e nëntorit të kaluar në Paris. Pas të dy tragjedive autor qëndron “Shteti Islamik”. 
 
Në Belgjikë, ndërkohë, ushtria ka rrethuar centralet bërthamore pas një xhirimi të ISIS-it, ku tregohet se si dy sulmues vetëvrasës përgatitet të hedhin veten në erë pranë tyre, duke shkaktuar një katastrofë nukleare. Ende nuk dihet nëse kaseta është vetëm një simulim apo një kërcënim i drejtpërdrejtë. 
 
“Ne e dimë që terroristët kanë si target stacionet energjetike kudo në botë. Ata janë të interesuar t’i sabotojnë këto burime energjie. Për shkak të rrjedhës që kanë marrë ngjarjet në Siri dhe Irak, ne besojmë se terroristët tani mund të kenë pikësynim të sulmeve centralet tona bërthamore”- tha eksperti për terrorizmin, Gef Lambrecht.
 
Më herët, autoritetet belge pranuan se kishin gabuar me një prej sulmuesve, pasi Turqia deklaroi se Brahim El-Bakraoui ishte arrestuar nga autoritet turke qershorin e kaluar dhe ishte depërtuar në Belgjikë.
 
Madje, Turqia kishte paralajmëruar Brukselin se i dyshuari ishte luftëtar i “Shtetit Islamik”, por të dhënat e Ankarasë u injoruan nga belgët. Kjo tronditi kabinetin qeverisës të Belgjikës, ku dy ministra, ai Brendshëm dhe i Drejtësisë, dorëzuan dorëheqjen, të cilat kryeministri, Sharl Mishel, nuk i pranoi.
 
BELINDA KOKA-ADEMI