Botë

Turqi, gazetarët dalin para gjyqit, akuzohen se zbuluan sekretet shtetërore

25.03.2016 12:35

Dy gazetarë të njohur turq kanë dalë para gjyqit në Stamboll me akuzën se zbuluan sekrete shtetërore...

Can Dundar dhe Erdem Gul nga gazeta “Cumhuriet” u arrestuan në nëntor për raportimin e tyre që sugjeronte se Qeveria turke kishte tentuar t’i dërgonte armë islamistëve në Siri.
 
Të dy ata i kanë mohuar akuzat, por nëse shpallen fajtorë, rrezikojnë burgim të përjetshëm. Mbi 100 reporterë dhe vëzhgues morën pjesë në seancën e parë të gjyqit.
 
Prokurorët kishin kërkuar një seancë më dyer të mbyllura, por avokatët mbrojtës të gazetarëve thanë se gjyqi duhej të ishte publik. 
 
“E dinë që kemi të drejtë. Ne qëndrojmë pas asaj që kemi cituar. Fajtorët e vërtetë do të zbulohen në gjyq. Ne qëndrojmë pas asaj që askush nuk ka të drejtë të na mohojë të drejtën për të informuar njerëzit”- deklaroi kryeredaktori i Gazetës “Cumhuriyet”, Can Dundar.
 
“Gazetaria nuk është krim. Sot, në një shtet ku tensionet po rriten çdo ditë, ne do i tregojmë gjykatës se nuk është krim të jesh gazetar. Ne nuk kemi bërë asnjë krim. Do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë”- theksoi shefi i Zyrës në Ankara i Gazetës “Cumhuriyet”, Erdem Gul.
 
Në fillim të këtij muaji, Policia turke kontrolloi zyrat e gazetës “Zaman”, më e madhja në vend, disa orë pasi me urdhër gjykate ajo u vendos nën kontrollin e shtetit. Vetë presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, paditi gazetarët për lajmin që ata publikuan.
 
Fillimisht, ata u mbajtën në paraburgim, por në shkurt u liruan pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që tha se ishin shkelur të drejtat e tyre për lirinë dhe lirinë e shprehjes. Turqia është e 149 në listën me 180 vende për lirinë e shtypit të hartuar nga Organizata “Gazetarët pa kufij”. 
 
Aktualisht, më shumë se 30 gazetarë janë në burg në Turqi, megjithëse autoritet pretendojnë se gazetaria në vend është një prej më të lirave në botë.
 
GAZMEND REXHEPI