Botë

Bisedimet e paqes për Sirinë, palët nënshkruajnë dokumentin me 12 parime

25.03.2016 13:23

Një dokument me 12 parime nënshkruar nga të dyja palët e përfshira në krizën siriane u paraqit gjatë bisedimeve të paqes në Gjenevë...

12 parimet përfshijnë refuzimin e terrorizmit, rindërtimin e ushtrisë siriane, ndërtimin e një shteti demokratik, zero tolerancë ndaj hakmarrjes, të drejtën e kthimit të refugjatëve, refuzimin e ndërhyrjes së huaj në Siri dhe transicion politik të pushtetit. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan De Mistura, vlerësoi përkushtimin e të dyja palëve në dialog.
 
“Jam impresionuar nga serioziteti dhe profesionalizmi i dëshmuar nga të dyja palët”, tha Mistura, duke shtuar se arritja e këtyre parimeve është e rëndësishme për bisedimet dhe transicionin politik që do të vijë më pas. De Mistura shpreson që  ShBA dhe Rusia të vazhdojnë përfshirjen aktive në shtyrjen përpara të procesit të paqes. 
 
Një ditë më parë, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar mënyrat e dhënies fund të konfliktit në Siri. Kerry tha se Uashingtoni dhe Moska kanë rënë dakord për krijimin e një versioni paraprak të një kushtetute të re për Sirinë deri në gusht. 
 
Në Siri, ndërkohë, forcat e Asadit kanë marrë kontrollin mbi Palmirën, qytetin e trashëgimisë botërore, të cilit tashmë ISIS-i ia ka shkatërruar të gjitha artefaktet 2 mijë vjeçare.