Maqedoni

Rasti “Celula”, gjashtë të akuzuar pranuan dënimin me burg

25.03.2016 16:18

Gjashtë nga gjithsej 11 të akuzuar për rastin “Celula”, të ngarkuar për organizimin dhe financimin e personave për pjesëmarrje...

Gjashtë nga gjithsej 11 të akuzuar për rastin “Celula”, të ngarkuar për organizimin dhe financimin e personave për pjesëmarrje në formacionet paraushtarake në Siri, pranuan të vuajnë dënim me burg për t’i dhënë fund procesit gjyqësor.
 
Vendimi u mor pas marrëveshjes së arritur me gjykatën penale. Imami i xhamisë, Tutunsës Rexhep Memishi, pranoi të vuajë shtatë vite burg, Ahmet Dardhishta pesë vite e gjysmë, ndërkaq Sejfulla Etemovski, Resul Saiti, Fazli Sula dhe Muhamed Shehu nga pesë vite burg.
 
“Pas analizës së tërësishme të dëshmive dhe momenteve objektive dhe subjektive morëm këtë vendim. Deklaratat për pranim të fajit janë vullnetare, me vetëdije dhe të dhëna pa kurrfarë presioni.”- deklaroi avokati mbrojtës, Angell Georgiev.
 
Ndaj vendimit të tillë reagoi avokati mbrojtës, Efto Spirovski. Sipas tij, të akuzuarit do të duhej qartë të pranonin fajin kur u vendos masa e ndëshkimit.
 
“Kur unë ndërhyra që ndonjëri nga të akuzuarit të thotë se a e ka kryer veprën penale për të cilën pranon fajin, asnjëri nuk e tha këtë. Madje, edhe i akuzuari i parë, hoxha, tha se ka fëmijë të vogël. Nëse ka fëmijë të vogël është jologjike të pranojë shtatë vite burg, ku minimumi i dënimit është pesë vite”- tha avokati mbrojtës, Efto Spirovski.
 
Spirovski bashkë me dy kolegët e tij vazhduan betejën gjyqësore për pesë të akuzuarit e tjerë. Ata kërkuan që të tërhiqet aktakuza për shkak të mospërshkrimit të saktë të kryerjes së veprës penale. Edhe avokati, Asmir Alispahiç, tha se nuk mund që CD me ligjërata fetare, kurani, por edhe bisedat private të shfrytëzohen si dëshmi.
 
“Të akuzuarit që mbroj unë nuk kanë kurrfarë lidhje me këtë, përpos faktit se ata janë pjesëtarë të Islamit dhe, sikurse myslimanët tjerë, kanë kryer ritet fetare në xhami. Për faktin e tillë ata nuk mund të ngarkohen me këtë aktakuzë.”- u shpreh avokati mbrojtës, Asmir Alispahiç.
 
Me vendimin e Gjykatës pala mbrojtëse do të njoftohet me shkrim. Avokatët thonë se Ligji për procedurë penale, në mungesë të dëshmive, parashikon lirim nga faji. Sipas avokatëve, asnjë nga 1154 dëshmi të Prokurorisë nuk i dedikohem të akuzuarve për “Celulën”.
 
MERAL ISMAILI