Futboll
Austri-Shqipëri, kuqezinjtë me bilanc negativ para miqësores
25.03.2016 16:25
Shqipëria është përballur gjashtë herë ndaj Austrisë dhe ka pësuar po kaq humbje...

Kombëtarja austriake është një prej atyre kundërshtarëve që kuqezinjtë jo vetëm janë mundur rregullisht, por kanë vuajtur për t’u shënuar qoftë edhe një gol. Për herë të parë, Shqipëria ka luajtur ndaj Austrisë më 15 nëntor të vitit 1980. Kjo ndeshje ka qenë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 1982 dhe ka përfunduar me fitoren e thellë të austriakëve në shifrat 5-0.
Më pas, në takimin e kthimit në “Qemal Stafa”, kuqezinjtë kanë humbur sërish, por këtë herë në shifrat minimale 0-1.
Edhe në kualifikueset e Europianit 1984, Shqipëria ka qenë në një grup me Austrinë dhe gjithashtu në takimin e parë ka humbur 5-0.
Në gjashtë takime të luajtura, Austria ka shënuar 17 gola në portën kuqezi, ndërsa Shqipëria ka realizuar vetëm një herë.
Takimi mes Austrisë dhe Shqipërisë do të luhet nesër në orën 17:30, në stadiumin “Ernst Happel” të Vienës dhe do të jetë testi i parë i De Biazit për lojtarët që do të grumbullojë për fazën finale të Euro 2016.
