Futboll

Sprinti drejt Euro 2016 nis tani për Shqipërinë

25.03.2016 16:31

Emocione të papërsëritshme ato të kualifikueseve, por tanimë me ndeshjet miqësore ndaj Austrisë dhe Luksemburgun, për kombëtaren kuqezi nis një epokë e re...

Misioni Francë 2016. Në Europianin e parë të historisë së saj, Shqipëria padyshim duhet të jetë në lartësinë e rastit, dhe De Biasi është para një përgjegjësie të konsiderueshme, atë të përmbledhjes në 23 emra të grupit që do të marrë në Francë.

Trajneri ka lënë të kuptohet se do të jetë luajal ndaj atyre që siguruan këtë kualifikim historik, por dilemat gjithsesi nuk mungojnë, ashtu si dhe rreziku i krijimit të ndonjë pakënaqësie ndaj jo më kot De Biasi thekson rëndësinë e unitetit.

Kandidaturat për hyrje të reja nuk mungojnë, më potencialja ajo e Milot Rashicës i ftuar jo rastësisht në përballjen me Austrinë, por deri në qershor shumë gjëra mund të ndryshojnë, mund të ketë shpërthime të reja lojtarësh e të papritura ndaj cdo grumbullim, cdo miqësore, cdo minutë e luajtur është një shans për lojtarët dhe padyshim një hap më shumë në realizimin e një projekti të rëndësishëm.

Para janë testet me Austrinë, kundërshtari më me peshë nga të konfirmuarit deri para Europianit, por dhe Luksemburgu, Katari apo Kanadaja janë të gjitha mundësi për tu shfrytëzuar për protagonistët e padyshim shumë interes dhe emocion për tifozët. Bileta për në Francë u pre në një cikël të jashtëzakonshëm eleminatoresh, sprinti drejt saj nis pikërisht tani.