Maqedoni
Tetovë, nderohen katër dëshmorët e UÇK-së
25.03.2016 16:36
Në Kompleksin Memorial në Tetovë u përkujtua 15 vjetori i rënies së dëshmorëve të kombit: Fadil Rufati, Zeqirja Tahiri, Servet Shabani, dhe Servet Hajredini...

Ata dhanë jetën për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni në konfliktin e vitit 2001.
“Sot jemi këtu për të bërë nderime pranë vendit ku prehen një pjesë e dëshmorëve të cilët gjatë kohës kur u deshtë të sakrifikojnë, të flijojnë, punojnë, luftojnë, ata dhanë më të shtrenjtën e tyre, jetën.”- deklaroi komandanti i Brigadës 112 Mujdin Aliu, Hazbi Lika.
“Ata i kryen detyrat e tyre, me devotshmëri, ne nuk i kemi kryer detyrat e tyre, ne jemi betuar së bashku me ata dhe me komandantit legjendar, Adem Jashari, me Haradinajt që nga Ismail Hajredini dhe këta që i dëgjoni ju sot, nuk kemi qenë kurrë që çlirimi ynë të bëhet pjesë, se veçmas Kosova, veçmas Presheva, veçmas Arbëria apo Iliria, kemi qenë për t’u çliruar dhe bashkuar trojet tona nga sllavët e jugut”- tha kryetari i ShVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
“2001-shi ishte vit i madh për shqiptarët, ishte një vit i krenarisë së shqiptarëve, pra edhe ju familjarë të dëshmorëve gjithmonë të jeni krenarë me bijtë që u flijuan për të drejtat e shqiptarëve, kudo qofshin këtu në Kosovë dhe trojet tjera etnike shqiptare. Ne të mërziten ata që gjatë vitit 2001 nuk bënë asgjë për komb e atdhe dhe ne të mërziten ata që qëndruan nëpër podrume”- theksoi komandanti i Brigadës 115 të UÇK-së, Rafis Aliti.
Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ndau edhe mirënjohje për familjet e dëshmorëve dhe kontributin e tyre të dhënë gjatë luftës së 2001-shit.
VISAR SADIKI
