Botë

Situata e vështirë në Idomeni, emigrantët thirrje për ndihmë BE-së

25.03.2016 18:17

Vijon situata e vështirë e emigrantëve në Idomeni, të bllokuar prej javësh në një kamp që nuk ofron asnjë kusht elementar jetese...

Ata i bëjnë thirrje për ndihmë Bashkimit Evropian, teksa Greqia planifikon zhvendosjen e tyre në një qendër të re pritëse.
 
Të paktën 12 mijë emigrantë prej javësh jetojnë në kushte të mjerueshme në kampin pranë kufirit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ku nuk mungojnë as konfliktet mes refugjatëve në radhë për ushqim.
 
Ata vijojnë të përballen me të ftohtin, reshjet, mungesën e ushqimit dhe sëmundjet, me shpresën për të kaluar në Maqedoni.
 
Ditët e fundit emigrantët e dëshpëruar kanë protestuar, duke bllokuar rrugën hekurudhore dhe duke kërkuar hapjen e kufirit. 
 
Autoritetet greke informuan se do të përshpejtohet procesi i ndërtimit të një qendre, e cila do të presë 30 mijë emigrantë. 
 
Zëdhënësi i qeverisë, George Kiritis, tha se është me prioritet që emigrantët të braktisin kampin e Idomenit dhe të vendosen në qendrat e pritjes. 
 
Për momentin rreth 50 mijë refugjatë ndodhen të bllokuar në Greqi.