Maqedoni

Gjendja në media, Nediç fajëson elitat politike; Trajçevski: ankesat tona nuk kanë rezultat

25.03.2016 18:22

Gjendja në fushën e medias është shqetësuese. Standardet dhe parimet në gazetari kanë shënuar rënie...

Ishin këto disa nga konkluzat e takimit në Agjencinë për media kushtuar parimeve gazetareske.
 
Sipas profesoreshës, Jasna B. Nediç, vendit i duhet servis publik i fuqishëm dhe standarde në profesionin e gazetarisë.
 
Më shumë angazhim për të siguruar lirinë e shprehjes dhe të krijohen mundësi që të dëgjohen mendime të ndryshme, theksoi Nediç.
 
“Gazetari duhet të jetë figurë të cilit ia kanë frikën të gjithë. Me integritet, inteligjent, me njohuri të specializuara, me qëndrueshmëri psiko-fizike. Kjo qëndron në literaturën për gazetari. Të mos shiteni! Të jeni kompetent! Ky është gazetari evropian. Ne nuk e kemi këtë gazetar. Vdiq gazetari. Sferën publike na e lanë pas dore elitat politike”- tha profesoresha universitare, Jasna B. Nediç.
 
Pronarët e mediave duhet të bëjnë dallimin mes interesit afarist, atij politik dhe privat, krahas informimit profesional, dhe duhet t’u lejojnë profesionistëve që të punojnë të pavarur dhe pa pengesa, tha drejtori i Agjencisë për media, Zoran Trajçevski.   
 
“Është për të ardhur keq, por është i vërtetë konstatimi se Agjencia në vazhdimësi, por pa rezultat, ka lëshuar shkresa dhe kumtesa përmes të cilave bën thirrje deri te televizionet dhe radiot që të pranojnë seriozisht rëndësinë e rolit që duhet të luajnë në shoqëri”- u shpreh drejtori i AShAAV-it, Zoran Trajçevski.
 
Për tejkalimin e situatës, me të cilën përballen gazetarët dhe mediat, duhet aksion i përbashkët i shoqatave të gazetarëve, të cilat tani për tani janë të polarizuara.
 
Kështu mund të rikthehet pushteti i  mediave në shoqëri.   
 
SHPËTIM NUREDINI