Golden State, një tjetër fitore për rekordin historik
Asnjë skuadër nuk mund ta ndalë rrugën e Golden State drejt thyerjes së rekordit të Chicago Bulls që në vitin 1996 arriti 72 fitore në sezonin e rregullt...
Kampionët në fuqi kaluan pa shumë vështirësi edhe Dallas Mavericks 128-120 me 73 pikë të realizuara nga dyshja Thompson-Curry, të cilët e ndihmuan ekipin e tyre në suksesin e 65 sezonal, vetëm 7 fitore larg rekordit absolut të “Demave” që 20 vjet më parë udhëhiqeshin nga një emër i madh si Michael Jordan.
Në ndeshjen e luajtur në “Oracle Arena” takimi u dominua nga “Luftëtarët”, ndërsa miqtë nga Teksasi humbën shumë terren në periodën e katërt, duke rrezikuar kualifikimin për në play off pasi tashmë ndodhen në vendin e tetë me të njëjtin numër fitoresh me Utah Jazz.
Vuan por fiton edhe San Antonio që regjistron fitoren e 37 sezonale. Popovich la pushim dyshen Leonard-Green por Aldridge regjistroi 32 pikë në mbrëmjen perfekte ku “Spursat” kaluan 110-104 Memphis.Një sukses që e konfirmon San Antonion të pathyeshme në shtëpi me 37 fitore dhe skuadrën më të rrezikshme për Golden State në Konferencën e Perëndimit.
Një tjetër sfidë deri në frymën e fundit ishte edhe ajo mes Houston Rockets dhe Toronto Raptors ku teksanët hodhën një hap të sigurt në shtëpi ku fituan 112-109 për t’u ngjitur në vendin e shtatë të klasifikimit me një sukses më shumë se Dallas dhe Utah që mbeten në ndjekje.