Obama, do të shqyrtohet lufta kundër ISIS
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka thënë se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të shqyrtojnë përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar grupin militant Shteti Islamik, gjatë një samiti bërthamor që do të mbahet javën e ardhshme në Uashington....

Në adresimin javor në radio, Obama ka përsëritur zotimin e tij për të vazhduar fushatën kundër Shtetit Islamik, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmet e së martës në Bruksel.
“Këtë javë, zemrat tona janë me popullin e Belgjikës, ku sulmet terroriste kanë marrë jetët e mbi 30 njerëzve. Dje, kemi mësuar se së paku dy amerikanë janë vrarë. Lutemi për familjet dhe të dashurit e tyre”, ka thënë Obama.
Ai ka shtuar se zyrtarët amerikanë kanë rritur bashkëpunimin me inteligjencën dhe se agjentë të FBI-së janë në Belgjikë, duke ndihmuar në hetimin e sulmeve.
Obama po ashtu u ka bërë thirrje amerikanëve që të mos stigmatizojnë myslimanët, duke thënë se një gjë e tillë është “kundërproduktive” në luftën kundër Islamit radikal.
