BDI diskuton programin zgjedhor për bujqësinë, Jashari s’di nëse ka keqpërdorim të subvencioneve
Bashkimi Demokratik për integrim ka vazhduar aktivitetet për përgatitjen e Platformës 2020, për zgjedhjet e Ardhëshme parlamentare....

Programi zgjedhor për bujqësinë ishte temë e debatit të sotëm të organizuar në ambijentet e Panairit në Shkup.
Besir Jashari, sekretar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, tha se edhe në këtë program zgjedhor për bujqësinë, BDI-ja parasheh ndërtimin e sistemeve për vaditje dhe përmirësim të infrastrukturës rrugore. Ndërkohë sa u përket kritikave të opozitës se subvencionet për bujqësi i marrin vetëm njerëz të afërt me pushtetin, Jashari pa koment.
“Në pjesën më të madhe ne nuk e dimë se kush janë ata njerëz, meqë ato mjete shkojnë drejtpërdrejt në xhiro-llogarinë e tyre dhe vetëm ata mund t’i marrin. Ka ndodhur që të ketë gabime në xhiro-llogaritë. Dua të them se ka nga të gjitha partitë, e tani nëse dëshirohet të përcaktohet se dikush është nga kjo ose ajo parti, ajo është punë tjetër. Te ne ka njerëz që punojnë dhe janë të zellshëm. Unë nuk do të komentoja dhe nuk do të ndërhyja në këtë. Nëse ka keqpërdorime kjo do të dalë në sipërfaqe” - sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari.
Në debatin e mbyllur për media, zyrtarët e BDI-së, i kanë dëgjuar edhe kërkesat e një pjese të bujqve. Në projekt-platformën nuk mungonin as projekte të premtuara në zgjedhjet paraprake. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
