Oklahoma “shuplakë” Spurs, në Lindje dominon Cleveland

27.03.2016 18:26

San Antonio duket se nuk ka më asnjë shans që të kapë skuadrën e Golden State në krye të renditjes në Konferencën e Perëndimit, pasi Spurs u mundën mbrëmë 111-92 nga Oklahoma, në një sfidë mes dy ekipesh pretendente për titull....

Një ndeshje e dominuar nga skuadra vendase, ku sërish Durant dhe Westbrook bënë diferencën, me të parin që realizoi 31 pikë dhe të dytin 29.

Te San Antonio mungoi lideri, duke pësuar humbjen e 12-të në kampionat. Betejë e fortë për një vend në play off në këtë kah të kampionatit, teksa në vendin e tetë ngjitet Utah Jazz, që mundi dje 93-84 Minnesota jashtë fushe. Mjaftoi perioda e katërt për miqtë për të fituar, 19 pikëve të Favors dhe 18 të Hayward.

Në Lindje, në krye të renditjes ndodhet Cleveland, që mbrëmë fitoi 107-93 në fushën e New York, ndeshje ku u dallua dyshja Love-James, 55 pikë së bashku. Charlotte konsolidon pozitat dhe thuajse ka siguruar play off-in, pas triumfit 115-91 në fushën e Milwaukee, pas 25 pikëve të Batum.

Jashtë kësaj zone ndodhet Chicago, aktualisht në vendin e nëntë dhe që dje u mund 111-89 nga Orlando (Dedmond 18 pikë). Madje tashmë Bulls janë larg rivalit më të afërt, Detroit, që gjithashtu u mund në fushën e tij, 112-95 nga Atlanta (Millsap 23 pikë). Fiton edhe Brooklyn, 120-110 ndaj Indiana, falë 23 pikëve të Lopez, ndërsa Boston mposhti 102-99 Phoenix në sekondat e fundit (Thomas 28 pikë).