Botë

Shpërthim në Pakistan, reagon OKB

28.03.2016 11:51

Një ditë pas sulmeve të tmerrshme në një park në Pakistan, ku humbën jetën të paktën 70 persona dhe 200 të tjerë u plagosën...

Një ditë pas sulmeve të tmerrshme në një park në Pakistan, ku humbën jetën të paktën 70 persona dhe 200 të tjerë u plagosën, erdhi reagimi i parë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.
 
Ban Ki-moon ka vlerësuar se sulmi në Pakistan është akt i tmerrshëm i terrorizmit”. Më tutje, në deklaratën e Kombeve të Bashkuara, theksohet se “sekretari i përgjithshëm e dënon sulmin vetëvrarës me bombë në parkun Gulshan-i-Iqbal në qytetin Lahore në Pakistan”.
 
Ban Ki-moon u ka bërë thirrje autoriteteve të Pakistanit “që të bëjnë çdo gjë të mundur për vendosjen e masave mbrojtëse për ta siguruar secilin individ, përfshirë komunitetet religjioze pakicë, që jetojnë në vend.
 
Ky sulm u bë në një park ku kishte përplot njerëz, derisa të krishterët e festonin Ditën e Pashkëve, Policia pakistaneze tha se hetimet paraprake kanë ngritur dyshime për një sulm kamikaz, ndërsa ende askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.
 
Mediat vendase raportojnë se objektiv i sulmeve ishin familjet e krishtera të mbledhura në park për të festuar Pashkët, por kjo nuk konfirmohet nga autoritetet. 
 
Vitet e fundit, Pakistani është përballur me sulme të shpeshta terroriste të kryera nga talebanët, por nuk mungojnë as konfliktet fetare.