Botë
Bruksel, shkon në 35 numri i viktimave, akuza për terrorizëm ndaj tre personave
28.03.2016 12:46
Është rritur në 35 numri i viktimave nga sulmi terrorist i së martës së kaluar në Bruksel...

Katër persona kanë vdekur në spital në orët e fundit si rezultat e plagëve të marra nga shpërthimi ne aeroport dhe metro.
Prokuroria belge ka akuzuar tre persona të tjerë për terrorizëm. Autoritetet bënë me dije se shtetasit Yassine A., Mohamed B., dhe Aboubaker O., mbiemrat e të cilëve nuk bëhen publikë për arsye sigurie, janë nën hetim për pjesëmarrje në organizata terroriste. Megjithatë, prokurorët nuk kanë dhënë shumë detaje për të respektuar hetimet që vijojnë. Prokuroria ndërkohë ka liruar një person të katërt pas marrjes në pyetje.
Është arrestuar, ndërkohë, në Itali nënshtetasi algjerian, Eddine Ouali, 40 vjeç, anëtar i një organizate që ka pajisur me dokumente false disa nga terroristët e atentateve në Paris e Bruksel. Identiteti i algjerianit, Edin Ouali, u zbulua nga autoritetet belge në tetor të 2015, një javë para atentateve në Paris, gjatë kontrollit në një banesë në Bruksel, ku u gjetën mijëra materiale, fotografi e shenja dixhitale gishtërinjsh për përgatitjen e dokumenteve me identitete false.
Mes materialeve të sekuestruara në këtë banesë u zbulua se kjo organizatë falsifikatorësh kishte pajisur me dokumente tre terroristë të grupit që projektoi e realizoi atentatet në Paris e Bruksel, Abdeslam Salah nën emrin fals Yassine Baghli, lindur më 29 shtator 1989, i arrestuar pak ditë më parë në Bruksel, Mohamed Belkaid nën emrin fals Samir Bouzid, lindur më 8 korrik 1977, i vrarë nga policia belge më 15 mars në banesën ku fshihej Salah, Najim Laachroui nën emrin fals Soufiane Kayal, lindur më 28 gusht 1988, kamikazi i hedhur në erë në aeroportin Zaventen të Brukselit.
Sipas Interpolit, algjeriani Eddine Ouali, i arrestuar në Itali, është pjesë e një organizate falsifikuesish që kanë pajisur me dokumente false dhe terroristët islamikë që përpiqen të hyjnë në Evropë pa u identifikuar nga policia kufitare.
Hetimet kanë verifikuar se 40 vjeçari algjerian, Eddine Ouali, ka prezantuar pak kohë më parë në Policinë e Salernos kërkesën për t’u pajisur me leje të rregullt qëndrimi në Itali. Pas arrestimit nuk i është përgjigjur asnjë pyetje të hetuesve italianë, e shumë shpejt pritet të ekstradohet drejt Belgjikës.
GAZMEND REXHEPI
