Kulturë
ITShKSh dhe Universiteti “Trakia”, marrëveshje për hulumtimin e arkivave
28.03.2016 14:31
Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi në mes ITShKSh-së dhe Institutit për Hulumtime Ballkanike i Universitetit “Trakja”...

Drejtorët e të dy institucioneve theksuan se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje do të përfitojnë të dy institucionet, pasi që duhet punuar në hulumtimin e arkivave të të dy vendeve.
“Përveç që do të begatohet shkenca e ballkanologjisë, ne mendojmë të avancojmë edhe më tutje me programe të posaçme, sidomos në hulumtimin e arkivave dhe ngjarjeve të cilat janë të ndërsjella. Dhe ky bashkëpunim është një mesazh në favorizimin dhe dhënien mesazh edhe për institutet e tjera në Ballkan, se e kemi patjetër të bashkëpunojmë”- deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Skender Hasani.
“Unë besoj se në të ardhmen do të fillojnë shumë punë të mira, gjithashtu dua të potencoj se jemi duke përgatitur simpozium për jetën e Sami Frashërit, që do të bëhet brenda universitetit. Kështu që e them me gjithë sinqeritetin tim se bashkëpunimi në mes kombit turk dhe atij shqiptar dita-ditës po rritet”- tha drejtori i Institutit Të Ballkanologjisë, Ridvan Xhanim.
“Instituti për Hulumtime Ballkanike është i vetmi institucion në sistemin akademik turk. Ka programe post-diplomike dhe të doktoraturës. Gjithashtu ka edhe revistën për hulumtime ballkanike. Tani Instituti në punët e veta kulturore dhe akademike fitoi një partner të ri për degën e Albanologjisë. Për këtë shkak jemi shumë të lumtur”- u shpreh rektori i Universitetit “Trakja”, Jener Joruk.
Gjithashtu gjatë ditës valltarët e ShKA “Karshijaka” dhe “Tanec” defiluan dhe vallëzuan në sheshin e Edrenesë, ndërsa me vallen e tyre pasuruan edhe skenën në manifestimin përmbyllës të këtij festivali, ku u prezantua kultura e popujve të Maqedonisë.
ERSAN PAJAZITI
