Maqedoni

Reçicë e Madhe, së shpejti fillon rregullimi i shtratit të lumit

28.03.2016 14:39

Shtrati i lumit në Reçicë të madhe më në fund duket se do të rregullohet...

Me këtë do t’i vijë fundi edhe frikës së banorëve lokalë, të cilët shikonin me tmerr çdo përkeqësim të motit nga frika se mos përsëritej sërish tmerri i gushtit të vitit të kaluar, kur lumi doli nga shtrati duke marrë me vete njerëz e shtëpi.
 
Ministria e Ekologjisë dhe komuna e Tetovës nënshkruan sot marrëveshjen për rregullimin e një pjese të  shtratit të lumit.
 
“Sot bëmë edhe marrëveshjen për kofinancim për rregullimin e shtratit të lumit në Reçicë të Madhe, me këtë mendoj se do të bëjmë zgjidhjen e një problemi të kamotshëm, me të cilin si problem janë ballafaquar qytetarët e fshatit Reçicë dhe sot kam kënaqësinë se nga buxheti ynë arritëm të investojmë për sanimin dhe përmirësimin e këtij shtrati të lumit”- deklaroi ministri i Ambienti Jetësor, Nurhan Izairi.
 
“Siç e dini, ne si komunë në mënyrë të rregullt jemi angazhuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e shtratit  të këtij lumi, mirëpo rregullimi i shtratit të lumit në fakt do të japë edhe një garanci të madhe që në situatë të ndryshme të natyrës në fakt të kemi sa më pak probleme”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Mosrregullimi i shtretërve të lumenjve është problem i të gjitha komunave të Pollogut dhe kjo solli edhe pasoja katastrofale më 3 gusht të vitit të kaluar për banorët e këtij rajoni.
 
Nga Ministria e Ekologjisë premtojnë se, në bashkëpunim me komunat, brenda këtij viti të intervenojnë në rregullimin e shtretërve të disa lumenjve të cilët kanë nevojë për intervenim urgjent.
 
VISAR SADIKI