Mundje: Sejfullahu, Kamberi dhe Mamuti në Kampionatin Europian U23

28.03.2016 14:52

Duke filluar prej nesër e deri te dielën, në Ruse të Bullgarisë, do të organizohet edicioni i dytë i Kampionatit Europian për mundës deri në moshën 23 vjeçare, në të cilin vendin tonë do ta përfaqësojnë tre garues, të tre shqiptarë...

Elmedin Sejfullahu në kategorinë deri më 57 kg, Raif Kamberi në kategorinë deri më 61 kg si dhe Behar Mamuti në ate deri më 70 kg, me ç`rast për dy të parët do të jetë kjo paraqitja debutuese në një veprimtari të këtillë, ndërsa për Mahmutin e dyta, pasi kishte marrë pjesë edhe në Europianin e vitit të kaluar në Vallbrih të Polonisë, ku ishte mposhtur nga hungarezi Zsombor Gulyas me vetëm 2-1 dhe edhe pse kishte merituar më shumë.

Tani, në këtë samit kontinental, shpresat më të mëdha të ekipit tonë, pa dyshim që do të janë te Elmedin Sejfullau, I cili bashkë me shokët, tani e një javë veq më gjenden në kampin përgatitor të reprezentacionit të Bullgarisë, në Samokov të këtij vendi.

Dy herë fituesi I medaljeve të bronzta nga Europianet për kadetë, është I gatshëm dhe në formë, veqanërisht pas medaljes së bronztë të fituar në turneun parapërgatitor “Petko Sirakov” dhe paralajmëron se me një short të mirë, edhe pse është në moshë shumë të re, vetëm 18 vjeçar, mund të vij deri te plasmani në piadestal dhe të gëzoj vendin tonë me një medalje tjetër.

Nga ana tjetër, në formë mjaft të mirë gjenden edhe dy përfaqësuesit tjerë, Raif Kamberi dhe Behar Mamuti, të cilët në të gjitha kampionatet zgjedhore në vendin tonë, fituan kundërshtarët në mënyrë bindëse dhe merituan një vend në reprezentacionin e Maqedonisë.

Ndryshe, Kampionati Europian për mundës deri në moshën 23 vjeçe, në Ruse të Bullgarisë, do të nis nesër, me garat e stilit greko romak, që do të janë në program edhe të mërkurën.

Të enjten e të premten do të garojnë femrat, ndërsa dy ditët e fundit të europianit, e shtuna dhe e diela, janë të rezervuara për garat e stilit të lirë, ku do të paraqiten edhe tre përfaqësuesit tanë, Elmedin Sejfullahu, Raif Kamberi dhe Behar Mamuti. (Mustafa Ademi, TVM2)