Maqedoni
Avokati i Popullit -raporti 2015, rritet për 5% shkelja e të drejtave të njeriut
28.03.2016 15:07
Shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut vitin e kaluar është rritur për 4, 39%. Këtë e tregon raporti i Avokatit të Popullit për vitin e kaluar...

Ndjekja e paligjshme e komunikimeve, brutaliteti policor gjatë kryerjes së detyrave, kriza e refugjatëve, kushtet në burgje, presionet mbi nxënësit e shkollave të mesme, përfshirja e pamjaftueshme e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor, arkëtimi i paligjshëm i taksës radiodifuzive, shfuqizimi retroaktiv i të drejtave të mbrojtjes sociale janë vetëm një pjesë e dukurive të shkeljes masive të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Mehmeti u ndal edhe në rastin e Kumanovës. Sipas tij, të dyshuarit janë keqtrajtuar në institucionet gjyqësore.
“Ndjekja e kundërligjshme e komunikimeve si dukuri e shkeljes masive të së drejtës së privatësisë së jetës personale dhe familjare e vuri në dyshim funksionimin e përgjithshëm të sistemit në shoqëri. Ka tendencë të rritjes së brutalitetit policor, kujdes të pamjaftueshëm për prezumimin e pafajësisë. Sistemi i jurisprudencës vazhdon të funksionojë me shumë dobësi. Për fat të keq, nuk ka përmirësime as në sistemin e burgjeve, përkundrazi, gjatë vizitave tona konstatuam gjendje më të këqija”- tha avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.
Mehmeti dha vërejtje edhe për institucionet që, sipas tij, nuk bashkëpunojnë ose bashkëpunojnë vetëm formalisht me institucionin Avokat i Popullit.
“Nëse gjatë viteve të kaluara Ministria e Shëndetësisë ishte institucioni i cili në mënyrë më evidente e pengonte punën e Avokatit të Popullit, në vitin 2915 këtij institucioni iu bashkëngjitën edhe të tjerë si: MPB, MShIA, MASh, Gjykata Supreme, Gjykata Themelore 1 dhe 2, si dhe Prokuroria Publike”- theksoi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.
Mehmeti gjithashtu komentoi edhe patrullimin policor në disa vendbanime, por, sipas tij, të ashtuquajturat kontrolle rutinore janë të paligjshme dhe me këtë aksion policia ka shqetësuar qytetarët e këtyre vendbanimeve.
Sipas Avokatit të Popullit, vitin e kaluar janë pranuar 4.403 parashtresa, ndërsa janë realizuar rreth 8.500 biseda me qytetarët për problemet me të cilat ballafaqohen dhe të njëjtëve u janë dhënë këshilla juridike.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
