Golden State vazhdon të shkruaj historinë
Në histori mbeten sidomos arritjet jo të zakonshme...
Skuadra e sotme e Golden Stejtit e di se do të bëhet e paharrueshme nëse do ta fitojë titullin kampion këtë edicion. Nuk do të ishte thjesht një kampionat më shumë për Stefën Kërrin dhe shokët e tij.
Do të ishte një nga ata sezonë që rrallë herë i zhvillon ndonjë ekip, në cilindo sport. Kryesuesja e NBA-së e bëri edhe më të rrallë duke thyer rekordin e koshave me vlerë 3 pikë, të realizuar në një kampionat.
Shifra e arritur pas 21 koshave ndaj Dallasit është 938, duke fshirë arritjen e vjetshme të Hjustonit. Nëse Uorriors do të vazhdojnë me këtë ritëm, llogaritet që të bëhen skuadra e parë që të kalojë shifrën 1 000.
Suksesi më i fundit iu bashkua atyre që ishin arritur në muajt e mëparshëm. Fillimisht, rekordi I nisjes më të mirë të një sezoni me 24 fitore radhazi, më pas Stefën Kërri që theu rekordin e trepikëshave të realizuar në një edicion nga një lojtar i vetëm, po ashtu edhe rekordi I fitoreve radhazi brenda fushe, që aktualisht është 51.
Kampionët nuk e fshehin më synimin për të thyer edhe rekordin ndoshta më të rëndësishëm të basketbollit amerikan, atë të bilancit sezonal të mbajtur nga Çikago Bulls e Majkëll Xhordanit me 72 fitore e 10 humbje. Gjithsesi, trajneri Stiv Kerr duhet të mendojë edhe që lojtarët e tij të jenë në formën e duhur për plej ofin. Asnjë rekord nuk ka aq shumë vlerë sa titulli.