Trajnim për mësimdhënësit se si të punohet me fëmijët me aftësi të kufizuara
Në Shkup, prej sot deri më 1 prill do të mbahet trajnim për mësimdhënësit të cilët punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara...

I organizuar nga Agjencia qeveritare turke për bashkëpunim dhe koordinim TIKA me shoqatën “Beyaz ay” nga Turqia, ky projekt ka për qëllim që të kontribuohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Ne jemi të interesuar për bashkëpunim dhe të kontribuojmë në institucionet shtetërore të cilat punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara, me qëllim që të ju ndihmohet në përmirësimin e kushteve për punë”- deklaroi koordinatori i TIKA-s, Teoman Tiryaki.
“Ne në Turqi jemi të vetëdijshëm për të gjithë faktorët që ndikojnë në arsimin e personave me aftësi të kufizuara. Të gjithë personat të cilët punojnë me këta njerëz, sakrifikohen për t’i ndihmuar kësaj kategorie”- tha Osman Demirci nga Shoqata “Beyaz ay”.
Ekspertët nga Turqia që punojnë me këtë kategori të fëmijëve do të mundohen që t’u tregojnë përvojat e tyre kolegëve nga Maqedonia dhe më pas këta të fundit do të vizitojnë Turqinë prej së afërmi për të parë se si punohet atje me fëmijët. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
