Botë
Tiranë, përplasje të reja për parkun e lojërave
28.03.2016 15:32
Janë rikthyer përplasjet e dhunshme në parkun e liqenit artificial të Tiranës...

Kësaj here në qendër të konfrontimeve kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike, si Edi Paloka, Ndriçim Babasi, Gent Strazimiri, por edhe Flamur Noka e Jorida Tabaku.
Pasi janë distancuar nga shoqëria civile, deputetët kanë tentuar të prishin rrethimin pikërisht në vendin ku do të ndërtohet parku i lojërave. Por, ka qenë ndërhyrja e forcave speciale që ka ndaluar hyrjen në kantierin ku po ndërtohet këndi i lojërave.
Përplasjet fizike kanë bërë që tre persona të humbin ndjenjat dhe të çohen në spital me ambulancë.
Mes tyre ishte edhe këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli. Dhuna e ushtruar nga disa protestues ka bërë që policia të shoqërojë në komisariat 31 persona.
Qëllimi i protestës, sipas Partisë Demokratike, është të ndalë punimet për këndin e lojërave. Partia Demokratike pretendon se ndaj protestuesve është ushtruar dhunë.
Kreu, Lulzim Basha, tha se shteti ka rënë tashmë dhe se po ushtrohet dhunë “shtazarake” ndaj qytetarëve.
Ndërsa kryeministri, Edi Rama, në një postim në rrjetin social Twiter deklaroi se Partia Demokratike ka gjetur parkun e lojërave si një mënyrë për të shfryrë mllefin ndaj tij.
LULJETA NDOKA
