Qendër e re ditore për persona të moshuar
Në komunën e Sarajit do të hapet qendra e re ditore për persona të moshuar, e katërta në kuadër të aktiviteteve të servisit social “Qendra ditore për persona të moshuar dhe qendra për dhënien e ndihmës në kushte shtëpiake”....

Përmes saj, 150 persona të moshuar dhe persona shëndetligë vizitohen në kushte të shtëpisë nga ana e 12 vullnetarëve dhe pesë infermiereve të Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit.
“Ne si Kryq i Kuq i RM-së, d.m.th. jemi prezent aty ku janë nevojat e qytetarëve. Kësaj here detektohemi në një nevojë të këtillë në fshatin Saraj, në fshatrat e Dërvenit dhe mendoj se do të jetë një aktivitet i cili i plotëson nevojat e qytetarëve, ose të kategorive që kanë nevojë për ne dhe mendoj se do të jetë një shembull i mirë i cili do të ndiqet më tutje”- deklaroi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
“Dhashtë Zoti fillimisht të gjithë ju të keni shëndet, fillimisht të mund ta shfrytëzoni këtë vend për aktivitete të juaja dhe unë, komuna e Sarajit, jam i gatshëm në çdo hap, në çdo aktivitet t’i ndihmojmë të gjitha pjesët e shoqërisë civile”- tha kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Murati.
“Veprojmë bashkë në të gjitha projektet për një qëllim, që t’i përkrahim shtresat e ndjeshme të shoqërisë, të krijojmë një shoqëri të fortë në të gjitha shtresat. Kjo ndjenjë nuk ekziston vetëm te ne, por te të gjitha kompanitë tjera”- u shpreh pronari i Kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemail Dauti.
I tërë projekti është i mbështetur nga Qyteti i Shkupit, Fondacioni “Dauti”, EVN-Maqedonia dhe Kryqi i Kuq i Austrisë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
