Rasti “Tortura”, Mijallkov dyshohet për keqtrajtim të Boshkovskit; Rasti “Monstra”, PSP: Ende po i hetojmë materialet e përgjuara
Prokuroria speciale nis hetimin për lëndën “Tortura”, që ka të bëjë me arrestimin e Lube Boshkovskit në vitin 2011, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, nën dyshim se ka keqpërdorur para për financim të fushatës elektorale...

Të dyshuarit e Prokurorisë Speciale janë shtatë persona për fyerje, nënçmim dhe keqtrajtim të Boshkivskit, duke i shkaktuar atij vuajtje shpirtërore. I dyshuari i parë është ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, bashkë me pjesëtarë të njësitit “Alfa”.
Prokurorja speciale, Fatime Fetai, thotë se për asnjë nga të dyshuarit nuk është kërkuar arrestim, por vetëm shqiptim i masës së kujdesit.
“Fuqia e funksionit dhe vetëpersonalitetit të ish drejtorit të DSK-së ka ndikuar që forcat policore t’u binden urdhrave të tij dhe të sulmojnë direkt dinjitetin njerëzor. I dyshuari i dytë, që është komandir i njësitit ‘Alfa’, me fjalët ‘shtrini për toke dhe arrestoni’ ka urdhëruar arrestimin. Të dyshuarit tjerë kanë përdorur forcë për ta shtrirë për toke Boshkovskin, goditur në këmbë e duar dhe fyer me fjalët ‘shefi ka thënë se s’ke për të shpëtuar nga 8 vite burg’”- tha prokurorja në Prokurorinë Speciale, Fatime Fetai.
Prokuroria Speciale ka marrë në pyetje një pjesë të të dyshuarve, por nuk thotë nëse në mesin e tyre është edhe i dyshuari i parë, Mijallkov.
Nga Prokuroria Speciale gjithashtu kumtojnë se gjatë javës do t’i drejtohen me kërkesë Gjykatës Supreme kundër vendimit të Gjykatës Penale për privim të paligjshëm të kryebashkiakut të Pustecit, Edmond Temellko, i dyshuar për rastin “Titanik”.
Janeva tha se kanë marrë në procedim edhe rastin “Spiun”, ndërkaq edhe “Magjar Telekom” do të kalojë në kompetencën e tyre. Për “Monstrën” akoma s’ka lëndë konkrete.
“Janë duke u dëgjuar materialet e përgjuara nga komision i posaçëm. A do të dalë diçka dhe kur që të bëjmë kërkesë për hetim, nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi për momentin”- u shpreh prokurorja në Prokurorinë Speciale, Lençe Ristoska.
“Tortura” është lënda e dytë e Prokurorisë Speciale. Para 45 ditëve u shpalos rasti “Titanik” për krime zgjedhore. (Meral Ismaili, TVM2)
