Refugjatët, zgjatet deri më 31 dhjetor gjendja e krizës

28.03.2016 17:30

Kuvendi i Maqedonisë sot ka sjellë vendim për vazhdimin e gjendjes së krizës në kufirin verior dhe jugor të vendit për shkak të krizës së migrantëve...

Gjendja e krizës është vazhduar deri më 31 dhjetor të këtij viti. Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, e arsyetoi këtë vendim për shkak të valës së shtuar të transitimit të migrantëve nëpër Maqedoni. Propozimi i miratuar në Kuvend nuk mori mbështetjen e BDI-së, e cila vlerëson se endimi paraprak ishte deri më 15 qershor, ndërkaq vendimin e ri duhet ta sjellë përbërja e re e Kuvendit, që duhet të dalë pas zgjedhjeve të 5 qershorit.

“Qeveria, në bazë të vlerësimit të të dhënave nga qendrat që menaxhojnë krizën e refugjatëve, solli vendim që të zgjasë gjendjen e krizës deri më 31 dhjetor të këtij viti”- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

“Nuk ka nevojë të vazhdohet gjendja e krizës edhe për faktin që parlamenti ka shpallur tashmë datën e shpërbërjes më 7 prill. BDI nuk e sheh të arsyeshme që një përbërje parlamentare në ikje të sjellë një vendim që do të vlejë deri në fundvit, pa marrë parasysh rrethanat që mund të krijohen gjatë muajve në vazhdim. Gjendja aktuale në Greqi flet që fluksi i ardhjes në Greqi po zvogëlohet, t’i japim afat kohor edhe marrëveshjes BE-Turqi. Deri më 15 qershor ligji e kushtetuta nuk parashikon mundësinë e shpalljes së njëpasnjëshme të gjendjes së krizës”- tha Talat Xhaferi nga BDI.