Maqedoni
Pr/ligji për procedurë penale, LSDM: pushteti po zvarrit punën e PSP-së; VMRO: opozita kërkon të rrënojë institucionet
28.03.2016 17:32
LSDM-ja ka akuzuar partitë në pushtet se përmes propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurë penale...

LSDM-ja ka akuzuar partitë në pushtet se përmes propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurë penale në formë të përshpejtuar po përpiqen të zvarritin dhe anulojnë veprimet e Prokurorisë Speciale.
Nga LSDM akuzuan partitë në pushtet edhe se po i ikin debatit mbi raportin e prokurores speciale. Sipas opozitës, partitë në pushtet nuk do të lejojnë deri në fund të mandatit të tyre që të debatohet në këtë temë.
“Me këtë propozim ata po vazhdojnë afatet e procedurës së rregullt dhe të shkurtër, me çka ata në fakt po dëshirojnë të stërzgjatin dhe anulojnë veprimet e Prokurorisë Speciale. Në vend që, siç ishte deri më tani, i dyshuari të ketë afat prej 15 ditëve që të dorëzojë dëshmi, ky afat propozohet të vazhdohet në 90 ditë. Procedura e shkurtuar tërësisht rrezikohet me aplikimin e afatit prej 90 ditëve dhe kjo në praktikë do të thotë se pas përfundimit të hetimit prokuroria nuk do të mund të ngrejë padi gjatë 90 ditëve të ardhshme”- deklaroi Renata Deskovska nga LSDM.
VMRO-DPMNE u është kundërpërgjigjur akuzave të LSDM-së, duke thënë se kjo parti nuk ka besueshmëri të flasë për partizim të gjyqësorit, pasi që brenda një dite zgjodhi 617 gjykatës dhe mbi 100 prokurorë.
Më tej, VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në për polarizim të popullit dhe drejtim kah rrënimi i institucioneve të shtetit dhe sistemit, duke tentuar privatizimin e gjyqësorit.
Në reagimin e saj, VMRO-DPMNE-ja shton se nga kjo sjellje e LSDM-së ndaj institucioneve turpërohen të gjithë qytetarët e Maqedonisë, prandaj dënimi i LSDM-së vjen më 5 qershor, kur qytetarët do ta dënojnë për të dhjetën herë me radhë.
BESIM ABDULLAI
