KShZ i fillon kontrollet në terren, 488 kontrollorë për votuesit e dyshimtë

28.03.2016 18:26

Me pesë vota për dhe katër kundër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të publikojë në ueb faqen të dhënat e votuesve të kontestueshëm që do t’i nënshtrohen kontrollit në terren...

Këtë propozim e shtroi anëtari i PDSh-së, Bedredin Ibraimi, ndërsa kundër tij votuan dy anëtarët e LSDM-së dhe dy ekspertë të pavarur, mes tyre edhe kryetari i KShZ-së, Çiçakovski.

“Personat të cilët do të kontrollohen në terren nuk janë të informuar se do të anketohen, prandaj është mirë që lista të publikohet në ueb faqen e KShZ-së. Askush nuk është i vulosur. Ata njerëz janë gjetur në listën për kontrolle, për shkak se analiza e të dhënave të kryqëzuara përfshin shumë çështje, kështu që pa kurrfarë baze nuk ka të dhëna për votues të caktuar”- deklaroi anëtari i KShZ-së nga PDSh, Bedredin Ibrahimi.

“Në këtë fazë të pastrimit të regjistrit zgjedhor po minohet kontrollimi në terren”- tha anëtari i KShZ-së nga LSDM, Igor Milev.

Anketuesit e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërkohë, filluan  kontrollin në terren të emrave të kontestuar në Listën zgjedhore. Janë 100.436 shkresa kontradiktore të shpërndara tek 89.383 qytetarë në 80 komunat e Maqedonisë. Sipas këshilltares së KShZ-së, Lupka Guguçevska, në terren kanë dalë 488 anketues.

“KShZ-ja është në komunikim të vazhdueshëm me zyrat rajonale dhe nga afër e ndjek procesin. Deri më tani nuk ka informacion për problem në terren, por informacione shtesë priten nga fundi i ditës kur të përfundojë anketimi dhe kur materialet do t’u dorëzohen kontrollorëve në njësitë rajonale të KShZ-së”- theksoi Lupka Guguçevska nga KShZ.

KShZ njoftoi se do të angazhojë edhe anketues të tjerë sipas nevojës në terren, me qëllim që të rritet efikasiteti i kryerjes së kësaj detyre të rëndësishme.

Ndryshe, me anketuesit në terren janë edhe vëzhguesit e katër partive politike, të cilët nuk kanë të drejtë të hyjnë në komunikim me personat të cilët anketohen gjatë kontrollit në terren. (Naim Ramadani, TVM2)