Botë
Uashington, të shtëna në “Kapitoll Hill”, lëndohet 1 polic, akti nuk është terrorist
29.03.2016 11:11
Një sulmues me armë zjarri është kapur dhe po merret në pyetje nga ana e autoriteteve pasi shkëmbeu të shtëna me policinë e Uashingtonit në kompleksin “Kapitoll Hill”-selia e Kongresit Amerikan...

Nuk ka arsye të besohet se bëhet fjalë për diçka më shumë se një akt kriminal, pasi që aksioni i sotëm ishte individual, raportoi në konferencën për shtyp Policia e Kongresit Amerikan, duke shtuar se kjo nuk mund konsiderohet si një akt terrorist.
"Dua të theksoj se nga raportet para, duke u bazuar në atë që ne mendojmë se ky është një akt kriminal dhe është një akt i një personi të vetëm, i cili ka frekuentuar hapësirën e ‘Kapitoll Hill’ dhe nuk ka arsye të besohet se mund të jetë diçka më shumë. Një nga policët qëlloi drejt sulmuesit, i cili është plagosur dhe është dërguar në spital” – deklaroi drejtuesi i “Kapitoll Hill”, Matthew Verderosa.
“Ne ishim duke vendosur gjërat tona në shiritin e pikës së sigurimit për të hyrë në qendër dhe përnjëherë njerëzit filluan të ikin dhe bërtasin. Pamë policinë nga çdo kënd me armë të drejtuara deri sa u dëgjuan edhe të shtëna, njerëzit nuk dinin nga t’ia mbanin. Më në fund policia na drejtoi duke na thënë dilni jashtë dhe vetëm vraponi”- tha dëshmitarja Catherine.
Ndërtesa e Kongresit është mbyllur për shkak të kërcënimit për sigurinë, por më pas ajo u hap.
Kongresi Amerikan është në pushim për festën e Pashkëve, por disa anëtarë të tij dhe pjesëtarë të stafit kanë qenë në ndërtesë, të cilët kanë bërë postime në mediat sociale, duke raportuar se janë mirë dhe në vend të sigurt.
Në vitin 1998, dy policë janë vrarë kur një sulmues ka kaluar sigurimin dhe ka hyrë në Kongres. Siguria qysh atëherë është rritur.
LEUNORA KALIQI
