Botë

ShBA, aksion kundër bandave latine, 1.133 të arrestuar

29.03.2016 12:22

Një operacion 5-javor i Agjencisë amerikane të Emigracionit dhe Doganave ka çuar në arrestimin e 1.133 personave, anëtarë të bandave kriminale shumëkombëshe, kryesisht nga Amerika Latine...

Operacioni, i koduar me emrin “Projekti: Hija e Zjarrit”, përfshiu shumë agjenci ligjzbatuese. Shumica e arrestimeve u kryen në Los Anxheles, San Francisko, El Paso, Hjuston, Atlanta dhe San Huan.

Sipas autoriteteve, bandat kriminale po organizohen më mirë, pasi anëtarë të rinj hyjnë në Amerikë, në rrugë ligjore apo joligjore dhe bashkohen me to. Gjithashtu, krerët e bandave kanë ndërmarrë një seri fushatash rekrutimi.

Gjatë operacionit, agjentët sekuestruan mbi 150 armë, mbi 20 kg drogë dhe rreth 75 mijë dollarë në para të thata. Shumica e të arrestuarve kishin nënshtetësi amerikane, por kishte edhe 239 të huaj, të cilët u ndaluan në Amerikën Qendrore, në Karaibe, Azi dhe Evropë.

Ndaj 1 mijë prej tyre rëndojnë akuza penale, ndërsa 132 kanë të bëjnë me akuza për shkelje të ligjeve të emigracionit.

915 nga të arrestuarit ishin anëtarë të bandave latine MS-13, Surenos (jugorët), “Nortenos” (veriorët) dhe grupeve të tjera të krijuara nëpër burgje.