Maqedoni
Legalizimi i objekteve pa leje, ditën e enjte afati i fundit
29.03.2016 13:36
Të enjten është afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për legalizimin e objekteve pa leje...

Kërkesat paraqiten në komuna, ndërsa kusht për legalizimin e objektit është që ai të jetë ndërtuar më së voni deri më 3 mars të vitit 2011, ndërsa për kërkesat e reja të dorëzuara deri më tani është caktuar afat për dorëzimin e elaboratit gjeodezik deri në fund të vitit të ardhshëm.
Ndërsa nga komuna e Çairit njoftojnë se ditën e enjte do të punojnë me orar plotësues, që është edhe obligim ligjor me qëllim që qytetarët të kenë mundësi t’i dorëzojnë kërkesat për legalizimin e objekteve pa leje.
“Ne realisht jemi duke punuar në bazë të orarit të punës si ditëve tjera edhe këto ditë të fundit. Mirëpo ditën e fundit, respektivisht ditën e enjte, e kemi ndërmend të punojmë deri në orën 24:00, sepse është edhe obligim ligjor i yni që të punojmë deri në orën 24:00, kur edhe skadon afati për dorëzimin e kërkesave të reja për legalizim”- deklaroi udhëheqësi i departamentit juridik në komunën e Çairit, Rami Qerimi.
Sipas Rami Qerimit, deri më sot janë bërë 1500 kërkesa të reja dhe më 31 mars pas orës 24 do të mbyllet ky proces. Ndërkohë, edhe komuna e Gazi Babës dy ditëve të fundit do të punojë me orar plotësues, deri në orën 20.
REJHANE BUSHI-METAJ
