Emigrantët në Idomeni bllokojnë trenin, Greqia: Refugjatët të mos dezinformohen
Mijëra refugjatë në Idomeni dhe përgjatë kufirit me Maqedoninë gjatë natës së kaluar dhe mëngjesin e sotëm protestuan dhe bllokuan linjën hekurudhore kundër kufijve të mbyllura.

Revolti i tyre gjithnjë e më shumë po rritet. Në asnjë mënyrë ata nuk pajtohen të zhvendosen në tendat e reja në Ballkan. Duan të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të BE-së, sepse të ardhmen e shohin atje. Policia greke tentoi, por nuk arriti t’i largojë refugjatët e shumtë që veç më ishin shtrirë për të kaluar edhe këtë natë mbi binaret.
“Ne po demonstrojmë, sepse kërkojmë zgjidhje të përhershme të krizës. Ne nuk mund të qëndrojmë shumë gjatë këtu, sepse kjo nuk është jetë. Ne nuk kemi nevojë për zhvendosjen ose për tende të reja, ne duam zgjidhje afatgjate të këtij problemi, i cili do të premtojë një jetë të qetë për ne. Na vjen keq, por nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se ta bllokojmë trenin”- deklaroi refugjati nga Siria, Aziz Hassan.
“Në 7 të mëngjesit policia na pyeti pse e bllokoni komunikacionin hekurudhor. Na është thënë se janë hapur linjat e trenit. 15 minuta më vonë ne u ulëm mbi binaret dhe bllokuan linjën hekurudhore në tërësi”- tha refugjati nga Siria, Mohammad El-Asuad.
Pas informacioneve të rrejshme mbi rrugën ballkanike, Qeveria greke është hedhur në veprim, ka dërguar përkthyes dhe ka vendosur altoparlantë në kufijtë e vendit me Maqedoninë për t’i paralajmëruar refugjatët të mos bien pre e fletushkave apo thashethemeve të përhapura përmes rrjeteve sociale se mund ta vazhdojnë rrugën drejtë vendeve të BE-së.
Nga ana tjetër policia greke arrestoi gjashtë persona të dyshuar si falsifikues të dokumenteve për azilkërkuesit në ishullin grek, Kos. Gjatë këtij operacioni janë konfiskuar shumë kompjuterë, kamera dhe një numër i madh i dokumenteve të rrejshme. OJQ-të me të madhe i informojnë refugjatët në Idomeni se rruga ballkanike do të vazhdojë të mbetet e mbyllur.
“Mbyllja e kufijve në përgjithësi ndikon negativisht dhe i zemëron refugjatët dhe kjo është më së e qartë, por ama brengos fakti që ata ende po shpresojnë se mund të kalojnë kufijtë drejt vendeve të BE-së, gjë që për momentin nuk është e mundur”- theksoi koordinatori i OJQ “Praksis”, Anestis Ischiropoulos.
Fletushkat e shpërndara në Idomeni një kohë të gjatë i dezinformojnë refugjatët se rruga e transitimit drejt vendeve të BE-së është e mundshme përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Agjencia e OKB-së dhe UNHCR në vazhdimësi i paralajmëron refugjatët në këtë zonë që të mos i besojnë dezinformatave dhe të sistemohen sipas planit të paraparë për kthimin e tyre në Turqi, të vendosur në Samitin e fundit në Bruksel.
Sipas informatave të fundit, në të gjithë territorin e Greqisë ndodhen rreth 50 mijë refugjatë. (Rexhep Qamili, TVM2)
