Maqedoni
Promovohen tre linja të reja ajrore nga Shkupi për Berlin, Bratislavë dhe Kopenhagë
29.03.2016 16:37
Kompania ajrore "Wizzair" prej sot nga aeroporti i Shkupit vendos linja të reja për në Berlin, Bratislavë dhe Kopenhagë dy herë në javë...

Në promovimin e sotëm të linjave ajrore nga "Wizzair" prej 20 qershori të këtij viti paralajmëruan linjë të re prej Shkupit për në Hamburg, që do të jetë zëvendësim për linjën e deritanishme deri në aeroportin “Lubek”.
Me "Wizzair", me të cilën Qeveria e Maqedonisë prej vitit 2012 ka arritur marrëveshje për mbështetje financiare për vendosjen e linjave të reja ajrore, është arritur edhe marrëveshje për punësimin e pilotëve nga Maqedonia.
“Me tre linjat e reja nga aeroporti i Shkupit është krijuar mundësia që përmes çmimeve të volitshme të biletave të vizitohet Berlini, Kopenhaga dhe Bratislava në funksion të zhvillimit të ekonomisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë, turizmit etj. Përmes mbështetjes financiare që ‘Wizzair’ e merr nga Qeveria prej vitit 2012, janë vendosur 23 linja me qytete evropiane”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajlovski.
Drejtori i operacioneve të fluturimit në "Wizzair", David Morgan, informoi se krahas 75 të punësuarve të deritanishëm nga Maqedonia, në pozicione të ndryshme kompania ajrore e mbështet transitin e nevojshëm të licencave të pilotëve të Maqedonisë që të munden të angazhohen në "Wizzair".
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i TAV-Maqedoni, Zoran Kërstevski, theksoi se linjat deri në Berlin, Kopenhagë dhe Bratislavë janë rritur prej 11 deri në 14 në kryeqytetet me të cilat Shkupi është i lidhur në mënyrë ajrore në Evropë.
"Të gjitha linjat ajrore do të shfrytëzohen nga qytetarët e Maqedonisë, turistët, biznesmenët dhe diaspora jonë"- u shpreh drejtori i përgjithshëm i TAV-Maqedoni, Zoran Kërstevski.
Nga "Wizzair” informojnë se me linjat e reja ajrore kanë më shumë se një milion ulëse në disponim për sivjet, që paraqet rritje të kapacitetit për 22 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
GAZMEND REXHEPI
