Futboll
Mavraj: Nuk ka “xixa” në Kombëtare
29.03.2016 17:03
Mërgim Mavraj largon polemikat nga Kombëtarja shqiptare e futbollit...

Nga Luksemburgu, mbrojtësi kuqezi sqaroi të gjitha spekulimet që janë ngritur rreth marrëdhënies së tij me kapitenin Lorik Cana, duke vendosur pikat mbi “i”.
Keqkuptimet lindën pas golit të dytë të pësuar në ndeshjen me Austrinë, ku Mavraj u shfajësua se e lejoi topin të kalonte, pasi dëgjoi Lorikun që i tha se ishte i vetëm. Kaq mjaftoi që në media dhe në rrjetet sociale të pulikoheshin tituj bombastikë dhe ngjarja të merrte përmasat e një përçarje, nga pretendimet për kurth ndaj lojtarit të Këlnit dhe alidime jashtë çdo lloj realiteti.
Në adresën zyrtare në Instagram, Mërgim Mavraj ndërhyri, duke postuar një fotografi me Canën dhe hedhur poshtë çdo dyshim. Një mënyrë për të treguar se pak javë përpara startit të Euro 2016, Kombëtarja është më e bashkuar se kurrë.
“Më shumë se asnjëherë Vëllezër!!! Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë “xixa” mes nesh, por as mes askujt në këtë familje të madhe! Do doja që në të njëjtin nivel me këtë ekip Kombëtar të jenë dhe gazetarët që shkruajnë për të! Gabuam sepse nuk jemi të pagabueshëm, çdo fitore na gëzon edhe çdo pësim na mëson. Më shumë se asnjëherë Vëllezër”.
Ky ishte mesazhi kuptimplotë i Mërgim Mavrajt. Një mënyrë për ti kërkuar të gjithë opinionit që përpara se të kërkojë apo trillojë skupe momentale, të qëndrojë pranë ekipit në momentin historik të pjesëmarrjes në Kampionatin Europian.
