Basketboll
Oklahoma nuk ndalet, Chicago në krizë të plotë
29.03.2016 17:09
Oklahoma City Thunder shkëlqen me dyshen Kevin Durant-Rusell Westbrook...

Vijon momenti fantastik për skuadrën e trajnerit Billy Donovan me Oklahomën që falë lojës së shkëlqyer të dy basketbollistëve të saj më të mirë, triumfoi brenda në Air Canada Center përballë Toronto Raptors me shifrat e thella 119-100.
34 pikë, 8 asiste dhe 8 rebound koleksioni në total Durant, ndërkohë që Mvp-ja i All Star Game gjatë dy viteve të fundit, Rusell Westbrook i ndihmoi të tijët me 26 pikë 12 asiste dhe 11 topa të kontrolluar poshtë tabelës. Me këtë sukses City Thunder ka hedhur një hap të madh drejt sigurimit të vendit të tretë në klasifikimin e konferencës së Perëndimit.
Shkëlqen edhe Los Angeles Clippers. Skuadra kaliforniane arriti një fitore të madhe pasi në Staples Center mundi me shifrat e thella, 114-90, skuadrën më të titulluar të Nba-së, Boston Celtics.
Për të thyer formacionin nga Masacusetts, Clippers u mbështet fort te grupi pasi plot 6 lojtarë të skuadrës së drejtuar nga Doc Rivers arritën një kuotë pikësh me dy shifra në këtë përballje. E pavlefshme paraqitja e mirë e Isaiah Thomas në radhët e Boston Celtics me këtë të fundit që koleksionoi në total 24 pikë.
U rikthye te fitorja San Antonio Spurs. Skuadra teksane kaloi në transfertë Memphis Grizliess, 101-87 falë edhe LaMarcus Aldridge që e mbylli ndeshjen, me 31 pikë 13 rebound dhe 3 asiste.
Për të thelluar krizën e Chicago Bulls dhe për ta vendosur seriozisht në rrezik kualifikimin e 6-herë kampionëve të Nba në fazën play-off mendoi Atlanta Hawks.
Skuadra nga Georgia triumfoi brenda në Ilinois me shifrat e ngushta 102-100 për meritë edhe të Jeff Teague që shënoi në total 26 pikë.