Maqedoni

Kuvend, debat i ashpër për Ligjin për procedurë penale

29.03.2016 17:25

Me shumë zhurmë, britma dhe grindje, fillimi i seancës së Komisionit për sistem politik në mëngjes u shty dy herë...

Socialdemokratët nuk lejuan të fillojë debati mbi ndryshimet në Ligjin për procedurë penale, i propozuar nga VMRO-DPMNE dhe BDI.
 
Ata kërkojnë që të jetë i pranishëm edhe një përfaqësues i Qeverisë që të jep mendim.
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se socialdemokratët kanë standarde të dyfishta dhe s’kanë këso lloj kundërshtime procedurale për ligjet që janë në interesin e tyre. 
 
“Deri më tani praktika në Kuvend është se gjithmonë kur kemi pasur ndryshime të ligjit të dorëzuar nga deputetët, merr pjesë deputeti, respektivisht propozuesi i ndryshimeve, ndërsa përfaqësuesit e Qeverisë marrin pjesë kur Qeveria është propozues”- deklaroi Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas LSDM-së, VMRO-DPMNE e ka traditë që të shkel rregulloren për punën e Kuvendit. 
 
“Neni dy, i cili sot zbatohet, thotë: në seancë të trupit punues kur shqyrtohet propozim-ligj ose akt tjetër në lexim të dytë, në mënyrë obligative është prezent dhe në punë merr pjesë përfaqësuesi i qeverisë dhe përfaqësuesi i dorëzuesit, propozimi i të cilit shqyrtohet. Nuk guxoni të thirreni në praktikë jo sipas rregullores, do të thotë është turp të thoni se deri më tani keni punuar në kundërshtim me rregulloren. Nesër mund të ndodhë që dikush t’i dëbojë këto gazetarë këtu dhe ne si opozitë dhe të thoni na falni ne kemi praktikë nga 24 dhjetori i vitit 2012”- tha Renata Deskovska nga LSDM.
 
Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, thotë se ideja ka qenë që ligji të votohet me konsensus bashkë me opozitën.
 
Pasi një konsensus i tillë nuk u arrit, BDI ka parasysh se tajmingu kohor në këtë ambient politik nuk do të ishte i mirë që pa votën e opozitës të votohet një ligj i tillë.
 
Nga PDSh thonë se nuk do të mbështesin këtë propozim. 
 
“Të jap përgjigje shkurt dhe shqip, është propozim i VMRO-së dhe BDI-së dhe PDSH nuk do të përkrah këtë propozim”- theksoi Bekim Fazliu nga PDSh.
 
Ndërsa nga LR-PDSh kërkojnë që partitë në pushtet të heqin dorë nga ky propozim, pasi, sipas tyre, është në kundërshtim me Marrëveshjen e nënshkruar të Përzhinës.
 
Propozim-ndryshimet e Ligjit për procedurë penale parashikojnë shtyrjen e afateve për palën mbrojtëse, me ç’rast i dyshuari në vend që të ketë afat prej 15 ditë për dorëzimin e dëshmive të ketë 90 ditë, ndërsa kjo të vlejë edhe për lëndët të cilat janë në procedurë në Prokurorinë Speciale.  
 
SANIJE DURAKU