Anketuesit e KShZ-së në Çair, konstatohen votues me adresa jo të azhurnuara
500 kontrolle në shtëpi të banuara janë kryer sot në Çair nga anketues të KShZ-së...

Janë vërejtur një sërë problemesh me emërimet dhe riemërimet e adresave si pasojë e mosrregullimit të çështjes pronësoro-juridike, legalizimit të banesave dhe shtëpive. Vetëm në këtë shtëpi janë të regjistruar 70 votues të cilët nuk e kanë azhurnuar adresën e tyre të banimit. Nga njësia rajonale e KShZ-së për Çairin thonë se po punojnë intensivisht për të mënjanuar dyshimet në listën zgjedhore.
“Normalisht se ka problem. Komuna e Çairit është një prej komunave që ka problem të çështjeve pronësoro-juridike, faktikisht me legalizimet e banesave, të emërimeve dhe të riemërimeve të adresave, dhe rinumërimi i shtëpive. Ngecim me këtë problem pak, por sidoqoftë me logjistikën që kemi prej KShZ-së dhe logjistikën e gjithë institucioneve, mundohemi të ballafaqohemi me problemet dhe ta kryejmë punën sikur duhet dhe në proporcion me ligjin.”- deklaroi udhëheqësi i njësisë rajonale të KShZ-së në Çair, Izair Neziri.
Fenomen tjetër që është vërejtur në komunën e Çairit, e cila kryeson listën e KShZ-së me 17 .041 votues të kontestueshëm, është edhe figurimi i votuesve që momentalisht janë jashtë shtetit. Nuk thuhet se a ka edhe votues fantomë.
“Sipas informatave që i kemi, momentalisht kemi hasur në votues që janë jashtë vendit. Sipas udhëzimeve që kemi, ne nuk guxojmë edhe t’i legjitimojmë. Ka kontrollim në terren edhe në bazë vullnetare dhe nuk mund t’i kontrollojmë ata se a janë votues fiktiv apo jo, ata janë në ingerenca të MPB-së dhe institucioneve tjera, që do të duhet mandej ta kontrollojnë punën se për çfarë votues bëhet fjalë.”- tha Neziri.
Në Çair, nën ingerenca të së cilës bien edhe Çuçursandeva, Shuto Orizare dhe Butel, pritet të realizohen gjithsej 11 mijë kontrolle, trefish më shumë se sa në komunat tjera. Kontrollet këtu, por edhe në komunat tjera, duhet të përmbyllen deri më 3 prill. (Meral Ismaili, TVM2)
