Botë

Pengmarrja e avionit në Qipro, autori me eksploziv të rremë, kaloi dy kordone sigurie

30.03.2016 13:13

Njeriu që detyroi avionin e “EgyptAir” të bënte një ditë më parë ulje të detyruar në Qipro mbante në trup një brez eksplozivi të rremë...

Edhe pse arsyet e gjestit të tij ekstrem ende nuk janë zbardhur krejtësisht, tashmë është e qartë se incidenti nuk ka lidhje me terrorizmin.
 
Pamjet e bëra publike nga Ministria e Brendshme egjiptiane tregojnë rrëmbyesin, duke kaluar përmes disa kordonësh sigurie në Aeroportin “Borg El Arab” të Aleksandrisë.
 
Drama e pengmarrjes përfundoi me dorëzimin e Seif El Din Mustafa dhe lirimin e të gjithë pasagjerëve pa asnjë lëndim në Aeroportin e Larnakas.
 
Mustafain zyrtarët qipriotë e përshkruan si “psikologjikisht të paqëndrueshëm”, ndërsa disa kolegë të tyre egjiptianë u treguan edhe më të ashpër, kur thanë se rrëmbyesi nuk ishte terrorist, por thjesht një idiot.
 
Mustafa doli sot përpara një gjykate një Larnaka, ndërsa avioni i rrëmbyer prej tij u nis mbrëmjen e djeshme drejt Kajros, që ishte dhe destinacioni i tij fillestar.
 
Edhe pse situata e krijuar barti në vetvete më shumë shqetësim sesa rrezik real, ai përbën një goditje për autoritetet egjiptiane, të cilat këmbëngulnin se, masat e sigurisë në aeroporte janë përforcuar ndjeshëm pas shpërthimit të avionit rus mbi gadishullin e Sinait në muajin tetor.
 
Por, siç e tregojnë vet pamjet filmike, Mustafai kaloi pa probleme dy kontrolle sigurie e asgjë e dyshimtë nuk rezultoi, as nga verifikimi i çantës së tij.
 
GAZMEND REXHEPI