Maqedoni
Posta e Maqedonisë, 120 motoçikleta të reja, 215 mijë euro investim
30.03.2016 13:26
Posta e Maqedonisë është furnizuar me 120 motoçikleta tërësisht të pajisura për postierët, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe kushteve të punës...

Motoçikletat janë të parapara për shpërndarjen e dërgesave postare sidomos në vendet rurale dhe në vendet me relacione më të gjata.
“Kjo është në vazhdën e aktiviteteve që i ndërmerr Posta e Maqedonisë për përmirësimin e kushteve të punës dhe cilësinë e shërbimeve tona. Filluam me investime në shërbimin e komunikacionit ndërkombëtar, vazhdojmë në pjesën e rrjetit tonë përmes të cilit e realizojmë dërgesën dhe planifikojmë që në të ardhmen të rrisim kapacitetet e qendrës për klientë të mëdhenj”- deklaroi drejtori i Postës së Maqedonisë, Faadis Rexhepi.
Postierët përshëndesin këtë investim, pasi që do t’u lehtësohet ndjeshëm puna e tyre e përditshme.
“Këto motoçikleta ne i shfrytëzojmë për të shkuar në rajonet që i kemi, që mos të shkojmë me autobusë apo në këmbë, siç kemi shkuar. Me këto motoçikleta dërgesat do t’i bëjmë më shpejtë”- tha postieri, Muhsin Halili.
Ky investim postar kap vlerën prej 215 mijë euro, ndërsa planifikohet që në pjesën e dytë të këtij viti të realizohet edhe një furnizim tjetër të motoçikletave, me çka do të plotësohen nevojat tjera të rrjetit postar.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
