Maqedoni
Kriza politike në “Argument”, Bakiu: KShZ shqiptarizon votuesit e dyshimtë; Hani: I nevojshëm kthimi i vlerave demokratike; Musliu: PSP do të ndajë shtetin nga partia
30.03.2016 15:00
Në Maqedoni akoma nuk janë përmbushur kushtet kyçe për mbajtjen e zgjedhjeve të 5 qershorit...

Në Maqedoni akoma nuk janë përmbushur kushtet kyçe për mbajtjen e zgjedhjeve të 5 qershorit, sikurse janë reformat në media dhe ndarja e shtetit nga partia, ndërkaq edhe mënjanimi i dyshimeve për votuesit e kontestueshëm nga aktivistët e KShZ-së në terren nuk mund të përmbyllet deri më 3 prill.
Analistët politik në emisionin “Argument” druajnë në transparencën e KShZ-së, e cila po shqiptarizon rastet e dyshimta në listën zgjedhore.
“Në fillim puna e tyre ishte transparente, e përgjegjshme, megjithatë kur erdhi fakti i përpunimit të listave dhe evidencës, ata u mbyllën vetvetiu. Personalisht edhe unë e shoh një tendencë për shqiptarizimin e problemit dhe kjo bëhet bashkërisht me ndikimin e mediave dhe këtu nuk pat paqartësi në fillim rreth asaj se çka janë votuesit fiktiv dhe si u zbrit ai numër nga 500 mijë në 300 mijë dhe pastaj në 120 mijë. Ndoshta është për shkak të problemeve pronësoro-juridike, përgjegjësisë së evidencës dhe administrimit të adresave. Të gjitha këto ndoshta mund të jenë të vërteta, megjithatë janë subjekt i hulumtimit të KShZ-së, e cila megjithatë e shmang dyshimin kryesor të ekzistimit të votuesve fiktiv.”- deklaroi politikologu, Bashkim Bakiu.
Albert Hani thotë se e rëndësishme në këtë proces është kthimi i vlerave të demokracisë. Kjo, sipas tij, do të arrihej edhe me ndëshkimin e personave që kanë ndikuar në krijimin e kaosit në listën zgjedhore.
“Në debatet e bllokut maqedonas flitet për shembull se pas atyre rezultateve që i kanë marrë në KShZ, se shqiptarët janë nën 20%. Çdo të ndodh me demokracinë e këtij shteti, çdo të ndodh atëherë, a kërcënohet siguria, a kërcënohet paqja e këtij vendi? Nuk është për t’u tallur, vetëm ta marrim e ta fshijmë, por duhet ta kërkojmë edhe fajtorin. Fajtori mund të jetë edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, te personi që i ka krijuar ata letërnjoftime dhe adresa.”- tha analisti politik, Albert Hani.
Albert Musliu shpreh optimizëm për dalje nga kriza aktuale dhe ndarjen e shtetit nga partia e sheh në Prokurorinë Speciale.
“Një institucion i cili realisht është i pavarur edhe si buxhet edhe në bazë të ligjit ka autorizime për të realizuar programin e vet, mund të japë rezultate, sepse nuk ka qenë në Maqedoni problem mungesa e ekspertizës edhe e profesionalizmit, por ka qenë problem pavarësia dhe ky është fillimi i pavarësisë. Ne e dimë se sa debat kishte në Maqedoni edhe për formatin e KShZ-së, se pse aty u futën edhe tre përfaqësues të cilët relativisht ishin të pavarur. D.m.th. elita politike në Maqedoni insiston ta imponojë logjikën e sistemit të kaluar se partia dhe shteti janë një dhe është partia ajo e cila vendosë. Mendoj se me veprimin e Prokurorisë Speciale kjo logjikë do të fillojë të hiqet.”- u shpreh analisti politik, Albert Musliu.
Kanë mbetur më pak se dhjetë ditë deri më 7 prill, kur parlamenti pritet të shpërbëhet dhe t’i hapet rruga zgjedhjeve të pesë qershorit, që sipas analistëve nuk është e rëndësishme vetëm mbajtja e tyre, por cilësia, ashtu siç kërkon edhe faktori ndërkombëtar.
MERAL ISMAILI
