Maqedoni

Të drejtat e konsumatorëve, ekspertët: Nuk njihen nga vetë konsumatorët

30.03.2016 15:34

Konsumatorët në Maqedoni nuk kanë njohuri dhe nuk dinë si t’i kërkojnë të drejtat e tyre...

Ekspertët në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve thonë se duhet ndryshuar tërësisht mentaliteti i tyre. 
 
“Në Maqedoni konsumatorët nuk kanë shumë njohuri, sepse ne këtë gjë nuk e kemi në mentalitetin tonë. Për shembull konsumatorët nuk reagojnë kur nuk ka datë në mish dhe peshq të freskët dhe këtu nuk respektohen të drejtat në pjesën e sigurisë për një mjedis të shëndetshëm”- deklaroi profesoresha universitare, Jadranka Daboviq.
 
Nga Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve janë të vetëdijshëm se duhet ngritur vetëdija e konsumatorëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre, por nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme.
 
“Duam që të punojmë shumë më shumë, mirëpo buxhetin e kemi shumë të kufizuar. Organizata e konsumatorëve në Maqedoni ka përkrahje nga Qyteti i Shkupit dhe nga askush tjetër”- tha Marijana Lonqar Velkova nga Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve.      
                       
Nga Organizata e konsumatorëve të Maqedonisë thonë se kanë për qëllim që të përmirësojnë mbrojtjen, prezantimin dhe përfaqësimin e interesave të konsumatorëve sipas politikave të Bashkimit Evropian.
 
REJHANE BUSHI-METAJ