Shqipëri, reforma në drejtësi, Rama: Ftoj PD-në të ulemi në tryezë pa të huajt
Kryeministri, Edi Rama, fton publikisht opozitën për të dialoguar lidhur me reformën në drejtësi...

Në prani të komisionerit për zgjerim, Johanes Hahn, i cili ndodhet në Tiranë për dialogun e nivelit të lartë dhe takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit, Rama tha se agjenda e përbashkët e të gjithë shqiptarëve është integrimi dhe reforma për drejtësi, sipas tij, është një nga kushtet kryesore.
“U vunë në dukje arritjet e reformave që ndikojnë në përmbushjen e pesë prioriteteve për hapjen e negociatave dhe u konfirmua vullneti për të vazhduar reformat. U konfirmua angazhimi për reformën e drejtësisë, si një reformë kyçe që krijon kushtet për çeljen e negociatave, por edhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të denjë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së. Konfirmuam vullnetin për dialog me opozitën në komisionin e reformës, i cili nuk mund të kushtëzohet nga aspekte të politikës së ditës, sado legjitime qofshin ato”,- tha Rama.
Nga ana e tij, eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, tha se qeveria dhe opozita duhet të ulen në dialog pa kushte për reformën në drejtësi.
“Çelja e negociatave për anëtarësim në BE, kur flasim për kapituj që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor, është e rëndësishme t’i jepet mundësia vendit ta fillojë këtë proces. Po e përsëris atë që e kam thënë disa herë, reforma në drejtësi duhet të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Unë jam ndalur edhe tek arsyet se pse kjo reformë duhet të finalizohet. Do të doja të kishte një vendim sa më të shpejtë. Miratimi i reformës në drejtësi është gjysma e punës. Gjysma tjetër është zbatimi i saj. Një sistem gjyqësor funksional është primar për hapjen e negociatave. Një sistem gjyqësor funksional sjellë shumë benefite për qytetarët dhe ekonominë. Kjo do të sillte investitore të huaj në Shqipëri, të cilët do të hapnin shumë vende pune”,- u shpreh eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn.
Komisioneri Hahn është takuar më herët me kreun e opozitës, presidentin Bujar Nishani dhe shefin e opozitës, Lulzim Basha. Pas takimit, Basha u shpreh se dekriminalizimi është peng i vullnetit të kryeministrit Rama.
“Dialogun për reformën në drejtësi e ka ndaluar mazhoranca. Mazhoranca ka shpallur faktikisht një gjendje të rënies së Republikës, asgjësimit të shtetit ligjor, pra nuk është çështje dialogu, nuk është as çështje negociate, as me Uashingtonin dhe as me Brukselin. Kjo është një çështje e vdekjes klinike të shtetit ligjor në Shqipëri. E gjitha kjo vjen sepse Edi Rama i ka vënë tritolin shtetit ligjor, demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejtësisë së pavarur. Ne qëndrojmë pikërisht për këto vlera, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësinë e pavarur dhe të pakapur, për t’i vënë para përgjegjësisë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar në Shqipëri”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Takimet do të vijojnë deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa në qytetin e Durrësit pritet të zhvillohet sesioni i punës i takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor. (Luljeta Ndoka, TVM2)
