Maqedoni

Dibër, rindërtimi i kanalizimit atmosferik, Ministria e Ekologjisë bashkëfinancuese

30.03.2016 16:05

Ministria e Ekologjisë do ta bashkëfinancojë edhe fazën e dytë të projektit për rindërtimin e kanalizimit atmosferik në Dibër...

Ministria dhe komuna nënshkruan sot për këtë qëllim edhe marrëveshjen e bashkëpunimit.
 
Për realizimin e projektit, Ministria do të financojë 2,5 milionë denarë. Në fazën e parë, për ndërtimin e kanalizimin atmosferik të rrugës kryesore Ministria ka kontribuuar me 80 mijë euro. 
 
“Pas përfundimit të fazës së parë u tejkaluan shumica e problemeve të dekadës me të cilën u përballen banorët dhe biznesi në këtë pjesë të qytetit. Me projektin e tanishëm tërësisht do të tejkalohet problemi me kanalizimin atmosferik në rajonin qendror të qytetit”- deklaroi kryetari i Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.
 
Ministri Izairi paralajmëroi përkrahje edhe për projekte tjera në këtë komunë.
 
“Përveç këtij projekti, Qeveria e Republikës së Maqedonisë përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor  parashikon përkrahje edhe për disa projekte tjera, mes tyre edhe projektin për ndërtimin e stacionit pastrues të ujërave të ndotura dhe rrjetin kanalizues, si dhe projektin për trajtim  rajonal të mbeturinave. Gjithmonë ishim të gatshëm ta përkrahim Dibrën, edhe më shumë tani kur me projektet e realizuara të pushtetit lokal qyteti  merr pamje të re bashkëkohore, që është në favor të banorëve”- tha ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
 
Kreu i Dibrës thotë se me projektet e reja, që janë realizuar apo do të realizohen në periudhën në vazhdim, qyteti do ta fitojë pamjen e merituar në mjedis bashkëkohor qytetar.
 
ATLI DEMA